Cili biznesmen takoi në Tiranë dhëndrin e bosit të ‘Cosa Nostra’ Messina Denaro-s?

spot_img
Advertisements

Nga varkat që niseshin drejt Shqipërisë në fillim të viteve ’80, sipas dëshmisë së një bashkëpunëtori të drejtësisë, te Girolamo “Luca” Bellomo në Tiranë në vitin 2014. Dosjet italiane sjellin Shqipërinë në dy momente të ndryshme të historisë së njerëzve të lidhur me botën e Matteo Messina Denaros. Një pyetje mbetet pa përgjigje: cili biznesmen shqiptar u takua në Tiranë me Bellomon, bashkëshortin e mbesës së bosit sicilian?

Shqipëria del në historinë e njerëzve të Matteo Messina Denaros shumë më herët nga sa mund të mendohej. Gjurmët e para të çojnë në fillim të viteve ’80, kur Giacomo Tamburello dhe vëllai i tij, sipas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Vincenzo Spezia, lëviznin me varka drejt brigjeve shqiptare për të marrë hashash dhe marijuanë. Më shumë se tridhjetë vjet më vonë, një tjetër emër i lidhur drejtpërdrejt me familjen Messina Denaro shfaqet në Tiranë: Girolamo “Luca” Bellomo, bashkëshorti i Lorenza Guttadauro, mbesës së Matteo Messina Denaros.

Në të dyja rastet flitet për drogë. Në të dyja rastet pika e nisjes në Itali është e njëjta zonë e Sicilisë perëndimore: Campobello di Mazara, Castelvetrano, Mazara del Vallo dhe Marsala. Dhe në të dyja rastet rruga të çon në Shqipëri.

Tamburello, varkat dhe Shqipëria

Emri i Giacomo Tamburellos u rikthye në qendër të hetimeve italiane në maj 2026, kur Guardia di Finanza, nën koordinimin e Prokurorisë së Palermos, goditi një sistem kompanish, pronash dhe asetesh financiare të shpërndara në disa shtete. Hetuesit po rindërtojnë origjinën e një pasurie të ngritur gjatë dekadave dhe marrëdhëniet e Tamburellos me trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.

Në këtë hetim ka marrë një rëndësi të veçantë dëshmia e Vincenzo Spezias, ish-eksponent i familjes mafioze të Campobello di Mazara dhe tashmë bashkëpunëtor i drejtësisë. Spezia e vendos fillimin e aktivitetit të Tamburellos në trafikun e drogës në vitet ’80 dhe përshkruan një rrugë që kalonte drejtpërdrejt nga Shqipëria.

Sipas tij, Giacomo Tamburello dhe vëllai i tij shkonin me varka në Shqipëri për të marrë hashash dhe marijuanë. Ngarkesat transportoheshin më pas drejt Sicilisë dhe shpërndaheshin në Mazara del Vallo, Marsala dhe zonat përreth. Më vonë, pas problemeve me drejtësinë italiane, Tamburello u zhvendos në Spanjë, ku trafiku i drogës do të merrte përmasa të tjera dhe ku do të ndërtohej një pjesë e rëndësishme e interesave të tij ekonomike.

Dëshmia e Spezias e lidh Tamburellon edhe me vetë Matteo Messina Denaron. Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë, bosi i Castelvetranos merrte një pjesë të fitimeve të trafikut të drogës së Tamburellos, të llogaritur në rreth 10 për qind. Kjo është një nga pistat që sot po ndjek Prokuroria e Palermos për të kuptuar se si financoheshin interesat e Cosa Nostra-s së Trapani-t dhe sa larg shtrihej sistemi ekonomik që ushqente pushtetin e Messina Denaros.

Brenda këtij rindërtimi, Shqipëria nuk është vetëm një emër në hartë. Ajo del si vend furnizimi në fazën e hershme të aktivitetit të Tamburellos, ndërsa transporti bëhej përmes detit.

2014: Girolamo Bellomo në Tiranë

Tre dekada më vonë, Shqipëria del përsëri në një dosje të antimafias italiane.

Në maj të vitit 2014, Girolamo “Luca” Bellomo ndodhej në Tiranë së bashku me Giuseppe Nicolacin. Bellomo ishte bashkëshorti i Lorenza Guttadauro, vajzës së Filippo Guttadauros dhe Rosalia Messina Denaros, motrës së Matteo Messina Denaros. Pra, një njeri brenda rrethit familjar të bosit që në atë kohë vazhdonte të ishte në arrati.

Bellomo ishte një nga emrat kryesorë të operacionit “Eden 2”, hetimi që në nëntor 2014 çoi në arrestimin e 16 personave dhe goditi një pjesë të strukturës që, sipas antimafias italiane, menaxhonte interesa kriminale dhe ekonomike në zonën e Castelvetranos dhe Campobello di Mazara.

Në materialet e hetimit del qartë edhe Tirana. Më 17 maj 2014, Bellomo komunikonte nga kryeqyteti shqiptar me Gaetano Corraon, ndërsa karabinierët italianë po ndiqnin lëvizjen e një ngarkese marijuane drejt veriut të Italisë. Nga përgjimet dhe survejimet, ROS rindërtoi kontaktet e grupit dhe një pjesë të trafikut.

Sipas materialeve të “Eden 2” të raportuara në mediat italiane, Bellomo kishte ardhur në Shqipëri për një furnizim të madh me marijuanë. Hetuesit ndiqnin ndërkohë edhe lëvizjet e tij në vende të tjera: Spanjë, Holandë dhe Kolumbi. Profili që del nga dosja është ai i një personi që lëvizte në një rrjet ndërkombëtar kontaktesh dhe operacionesh të lidhura me narkotikët.

Procesi “Eden 2” vazhdoi deri në Gjykatën e Kasacionit. Bellomo ishte mes personave të dënuar; në shkallën e parë kishte marrë 10 vjet e 10 muaj burg.

Por për Shqipërinë, pjesa më interesante e historisë nis pikërisht aty ku raportimet italiane ndalen.

Cili biznesmen shqiptar u takua me Bellomon në Tiranë?

Bellomo nuk mbërriti në Tiranë si turist. Dosja “Eden 2” e vendos praninë e tij në Shqipëri brenda një hetimi për trafik ndërkombëtar droge dhe materialet e hetuesve e lidhin udhëtimin me furnizimin me marijuanë. Për një operacion të tillë nevojiteshin kontakte në terren, njerëz që njihnin tregun, logjistikën, transportin dhe mënyrën se si mallrat mund të lëviznin jashtë vendit. Në dosjet e anti-mafias italiane flitet për një takim me një personazh të identifikuar si biznesmen i afërt me qeverinë, por pa dhënë më shumë detaje.

Këtu lind pyetja që duhet të marrë përgjigje nga ana shqiptare e historisë: cili biznesmen shqiptar u takua me Bellomon në Tiranë?

Kush ishin kontaktet që ai kishte krijuar në Shqipëri? Në çfarë sektorësh vepronin? A ishin vetëm njerëz të botës kriminale, apo pranë tyre kishte edhe sipërmarrës me biznese të ligjshme, kompani transporti, import-eksporti apo interesa në aktivitetet detare?

Raportimet italiane japin emrat e Bellomos dhe Nicolacit, datën dhe vendndodhjen në Tiranë, si edhe kontekstin e trafikut të drogës.

Pista e peshkimit

Një nga drejtimet që merr rëndësi nga historia e Tamburellos është peshkimi dhe ekonomia e detit.

Vincenzo Spezia flet për varka që niseshin drejt Shqipërisë për të marrë drogën. Në anën italiane ndodhemi në Mazara del Vallo dhe Marsala, dy qytete ku peshkimi, flotat detare, magazinat frigoriferike dhe tregtia e produkteve të detit kanë peshë të madhe ekonomike. Në të njëjtin territor, Cosa Nostra ka pasur historikisht interesa edhe në bizneset e lidhura me peshkun.

Një nga shembujt që del në dokumentacionin gjyqësor italian është shoqëria Stella d’Oriente, aktive në tregtinë e produkteve të peshkut dhe e lidhur në aktet e proceseve antimafia me personazhe të familjes mafioze të Mazara del Vallo. Në strukturën e saj shfaqeshin njerëz pranë Mariano Agates, një prej bosëve historikë të zonës dhe aleat i Corleonesi-ve.

Ky sfond ekonomik i jep një kuptim të ri pyetjes mbi varkat e Tamburellos. Çfarë mjetesh përdorte ai për të ardhur në Shqipëri? Kujt i përkisnin? Nga cili port i Sicilisë niseshin dhe në cilin port shqiptar mbërrinin? Kush kujdesej për furnizimin, magazinimin dhe kthimin e ngarkesës?

Pyetja shtrihet natyrshëm edhe te viti 2014. Nëse Bellomo ishte në Tiranë për një furnizim me marijuanë, a kishte kontakte me njerëz që kontrollonin mjete lundruese, kompani import-eksporti, tregti ushqimore apo biznese të peshkimit? A kishte në atë periudhë ortakëri shqiptaro-italiane në sektorin e produkteve të detit me lidhje me Marsala, Mazara del Vallo apo provincën e Trapani-t?

Kjo është një pistë që mund të ndiqet përmes dokumenteve tregtare, historikut të kompanive, ortakëve italianë në Shqipëri, licencave të peshkimit dhe mjeteve lundruese që kanë operuar mes dy brigjeve.

Nga Shqipëria e Tamburellos te Tirana e Bellomos

Në fillim të viteve ’80, sipas Vincenzo Spezias, Giacomo Tamburello dhe vëllai i tij udhëtonin me varka drejt Shqipërisë, merrnin hashash dhe marijuanë dhe e transportonin drejt territorit të Mazara del Vallo dhe Marsala.

Në maj 2014, Girolamo “Luca” Bellomo ndodhej në Tiranë së bashku me Giuseppe Nicolacin, ndërsa antimafia italiane ndiqte një rrjet të trafikut të marijuanës. Bellomo ishte bashkëshorti i mbesës së Matteo Messina Denaros dhe një nga personat që më pas do të dënoheshin në procesin “Eden 2”.

Tridhjetë vjet larg njëri-tjetrit, dy emra të botës kriminale të Sicilisë perëndimore mbërrijnë në të njëjtin vend.

Nga Campobello di Mazara dhe Castelvetrano te Marsala e Mazara del Vallo, territori është ai ku familja mafioze e Messina Denaros ndërtoi për dekada pushtetin e saj. Në krahun tjetër të detit është Shqipëria.

Tani hetimi duhet të ndjekë njerëzit që qëndronin në anën shqiptare të kësaj rruge. Emrat e italianëve janë aty. Datat po ashtu. Edhe Tirana del në përgjime.

Pyetja është: cili biznesmen shqiptar u takua me Girolamo “Luca” Bellomon në Tiranë dhe çfarë interesash i lidhnin?

Përgjigjja mund të jetë pika nga ku historia shqiptare e kësaj dosjeje sapo fillon.

spot_img

Latest articles

Related articles