Mbledhja prej 4 orësh e kryeministrit Rama me kryebashkiakët e majtë të bashkive të preken nga reforma territoriale, është zhvilluar me tone të ashpra e përplasje të forta mes kreut të qeverisë dhe 4 prej kryetarëve të bashkive që parashikohet të shkrihen, Poliçani, Dimali, Selenica dhe Divjaka.
Gjatë diskutimeve Rama i ka thënë Adriatik Zotkajt: Ti nuk duhet të ishe fare këtu. Ajo që bëri Poliçani me djegien e kartave ishte një akt paturpësie.
Ndërsa Zotkaj i cili edhe publikisht ka qenë kundër shkrirjes së bashkisë së Poliçanit, me argumentin se do të largohen shërbimet nga qytetarët i është përgjigjur se komuniteti i reagoi veprimit mosmirënjohës të PS-së dhe Kryeministrit. “Në ka një mosmirënjohje është ajo e PS.”-ka thënë Zotkaj.
Një tjetër përplasje e ashpër ka qenë ajo me kryetaren e Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj.
Report tv mëson se Rama i është drejtuar me ironi: Ju udhëheqësit e mëdhenj!
Ndërsa Mema i është përgjigjur: Ç ‘udhëheqës! Ne jemi bërë si punëtorë komunaleje. (Duke folur këtu për mungesën e kompetencave të pushtetit vendor).
Kjo fjali e ka irrituar kryeministrin Rama duke e nxjerrë Memën jashtë nga mbledhja.
Megjithatë, Zotkaj dhe Mema nuk mund të kandidojnë më për kryetarë bashkie pasi kanë ezauruar mandatet e lejuara.
Edhe kryetarët e bashkive të Selenicës dhe Divjakës, Nertil Bello dhe Josif Gorrea kanë mbajtur debatuar me kyeministrin Rama dhe Arbjan Maznikun duke i qëndruar argumenteve të tyre kundër shkrirjes së bashkive.
Kryeministri Rama nga ana e tij ka pretenduar që kryetarët e bashkive po nxisin komunitetet e atyre zonave kundër reformës territoriale.



