Tre vëllezër janë shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, pasi dyshohen se kanë vendosur lëndë plasëse në derën e banesës së një 72-vjeçari në Tufinë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 00:30 të 8 gushtit. Shpërthimi shkaktoi dëme të pakta materiale në banesë.
Djali i 72-vjeçarit kishte porositur mobilie te tre vëllezërit që kanë një mobileri në Fushë-Krujë dhe kishte dhënë një shumë parash si kapar. Por, sipas këtij versioni, ai nuk kishte marrë as mobiliet dhe as paratë e dhëna.
Kështu, në rrethana ende të paqarta dhe të çuditshme, tre vëllezërit kanë udhëtuar me makinë drejt Tufinës dhe kanë vendosur lëndën plasëse në derën e banesës.
Policia po punon për gjurmimin e automjetit përmes kamerave të sigurisë dhe për kapjen e tre të dyshuarve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas njoftimit se në lagjen “Tufinë”, në derën e banesës së shtetasit J. M. 72vjeç, kishte shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar dëme të pakta materiale, kanë organizuar operacionin policor “Motivi”, me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, këqyrjes së vendit të ngjarjes, administrimit të provave, në kuadër të operacionit të koduar “Motivi”, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorëve të dyshuar.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u shpallën në kërkim shtetasit Ervis Alla 39 vjeç, Altin Alla, 43 vjeç dheMaksim Alla, 41 vjeç, të tre vëllezër, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim.



