Gjykata franceze lë në burg Ermal Beqirin, priten letrat e ekstradimit

spot_img
Advertisements

Gjykata e Amiens në Francë konfirmon arrestin ndaj Ermal Beqirit, duke e lënë në burg me afat deri në seancën e ekstradimit.

Gjithçka deri sa Shqipëria të dorëzojë dosjen nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë ndaj autoriteteve pariziene.

Biznesmeni Ermal Beqiri i shpallur në kërkim nga SPAK si pjesë e dosjes së AKSHI-t, u arrestua të shtunën në Francë, pasi fluturoi me një avion civil mbi një central bërthamor nën lartësinë e duhur.

Të shtunën pasdite një avion i vogël civil fluturoi në mënyrë të parregullt mbi centralin bërthamor Penly në Seine Maritime, ndërsa ishte në një lartësi prej afërsisht 1200 metra, kur piloti uli hundën e avionit në një lartësi nën limitin ligjor për fluturimin mbi vende të ndjeshme.

Forcat ajrore dërguan një tjetër avion për të shoqëruar aeroplanin e Ermal Beqirit, ndërsa ajo që ra në sy të autoriteteve franceze ishte se oficerët konstatuan tre AirTag, në veshjen Beqirajt, të cilët janë gjurmues të vegjël GPS, të prodhuar nga Apple, dhe lejojnë gjurmimin e kujtdo që i mban.

Biznesmeni Ermal Beqiri u shpall në kërkim ndërkombëtar që prej fundit të vitit 2025, pasi mbi të SPAK ngriti 6 akuza “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Beqiri zotëron kompaninë Soft Solution dhe akuzohet se ka përfituar dhjetëra tendera me vlera nga AKSHI, ndërsa njihet si krahu djathtë i Ergys Agasit, i cili vijon ende të jetë i shpallur në kërkim. Sipas SPAK mekanizmi i marrjes së tenderave është bërë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

spot_img

Latest articles

Related articles