Hetimet ndaj “të fuqishmëve” rikthejnë besimin te ligji, por Italia na kujton se pa ndryshim të sistemit, korrupsioni gjen gjithmonë rrugë të reja.
Kur një ish-president, ministra dhe kryetarë bashkish përfundojnë nën hetim, për shumë qytetarë bëhet e qartë se raporti mes politikës dhe ligjit po ndryshon. SPAK ka fituar gradualisht një nivel besimi që deri pak vite më parë dukej i pamundur për një institucion drejtësie në Shqipëri. Megjithatë, përvoja italiane e “Mani Pulite” na kujton se ndëshkimi penal, sado i fortë, nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me ndryshime më të thella në sistemin politik.
Në çdo vend, besimi i qytetarëve te institucionet lidhet ngushtë me mënyrën se si luftohet korrupsioni. Kur politika shihet si e pandëshkueshme, dëmtohet jo vetëm besimi te qeveria, por edhe legjitimiteti i vetë shtetit. Në Shqipëri, SPAK është parë nga shumë qytetarë si shenjë se drejtësia po vepron edhe ndaj zyrtarëve të lartë, duke sfiduar një realitet të gjatë pandëshkueshmërie. Një zhvillim i ngjashëm, por shumë më i përmasuar, ndodhi në Itali me operacionin “Mani Pulite”, i cili zbuloi korrupsionin e përhapur dhe tronditi fort sistemin politik italian.
Ngjashmëria kryesore mes SPAK-ut dhe “Mani Pulite” është se të dyja krijuan shpresë se korrupsioni i nivelit të lartë mund të goditet realisht. Në të dy rastet, hetimet nuk u kufizuan te figura periferike, por prekën njerëz me pushtet politik dhe ekonomik. Kjo ndihmoi në rritjen e besimit te drejtësia, sepse u vu në diskutim ideja se “të fuqishmit” janë jashtë çdo llogaridhënieje.
Në Shqipëri, ky perceptim është përforcuar edhe nga sondazhet. SPAK renditet si institucioni më i besuar në vend, ndërsa sondazhet e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) dhe Euronews Albania tregojnë një mbështetje të lartë dhe në rritje për punën e tij. Kjo ka rëndësi jo vetëm simbolike. Në një vend ku drejtësia për shumë kohë është perceptuar si e dobët ose e kapur, fakti që një institucion i saj gëzon kaq shumë besim tregon se qytetarët po shohin një mundësi reale për llogaridhënie.
Megjithatë, dallimet midis dy rasteve janë po aq të rëndësishme sa ngjashmëritë. Në Itali, “Mani Pulite” pati përmasa shumë më të mëdha dhe çoi në rënien e partive tradicionale, duke prodhuar krizë dhe riformatim të sistemit politik. Në Shqipëri, SPAK po ushtron presion real mbi politikën, por ende nuk ka sjellë një tronditje të ngjashme të sistemit. Ai vepron brenda kornizës së reformës në drejtësi dhe në një realitet historik e institucional tjetër nga Italia e viteve 1990. Jane te gjitha shenjat se elita politike drejtuese eshte duke bashkerenduar veprimet dhe permes institucioneve rregullatore te drejtesise po tenton te ngushtoje fushe-veprimin e SPAK-ut ne periudhen qe vjen sa i takon vepres penale te „shperdorimit te detyres“ nepermjet administrativizimit te kesaj vepre“.
Edhe të dhënat empirike e mbështesin vlerësimin se SPAK po ushtron presion real mbi politikën, por ende nuk ka sjellë një tronditje të ngjashme të sistemit. Raportimet për vitet e fundit tregojnë rritje të numrit të të dënuarve në çështjet e SPAK-ut dhe shtim të rasteve që përfshijnë zyrtarë të lartë. Në vitin 2025 hetoi 871 çështje penale dhe pati më shumë hetime se në 2024.U përfunduan më shumë raste dhe u rrit puna në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. U sekuestruan dhe u konfiskuan rreth 45.4 milionë euro pasuri. U hetuan edhe 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë, ndërsa 10 morën vendim përfundimtar dënimi. Raporti thotë se sfidat kryesore mbeten korrupsioni i lartë, krimi i organizuar dhe pastrimi i parave. Në të njëjtën kohë, institucioni shpreh shqetësim për çdo nismë që do t’i kufizonte kompetencat ose pavarësinë. Këto shifra tregojnë se ndëshkimi i elitës politike nuk është më vetëm simbolik. Megjithatë, procesi mbetet ende i kufizuar krahasuar me përmasat e korrupsionit që percepton publiku.
Po aq i rëndësishëm është edhe dimensioni i besimit publik. Në Shqipëri, qytetarët jo vetëm besojnë më shumë te SPAK-u sesa te institucionet e tjera, por edhe presin që ai të vazhdojë ndëshkimin e politikanëve të korruptuar. Kjo i jep institucionit jo vetëm forcë juridike, por edhe legjitimitet moral. Në të njëjtën kohë, krijon pritshmëri shumë të larta: shoqëria pret jo vetëm ndëshkim individual, por edhe ndryshim më të thellë në mënyrën si funksionon politika.
Pikërisht këtu përvoja italiane mbetet e rëndësishme si paralajmërim. “Mani Pulite” tregoi se drejtësia mund të tronditë fort sistemin dhe të hapë rrugë të reja. Por tregoi edhe se, nëse ndryshimi penal nuk pasohet nga reforma politike dhe institucionale, korrupsioni mund të rikthehet në forma të tjera. Kjo do të thotë se suksesi i SPAK-ut nuk duhet matur vetëm me numrin e hetimeve apo të dënimeve, por edhe me ndikimin që ai arrin të ketë në kulturën e llogaridhënies.
Në këtë kuadër, edhe protesta civile e dy muajve te fundit ka rol të rëndësishëm. Disa protestues brenda saj ndoshta synojnë të delegjitimojnë SPAK-un, sidomos kur hetimet prekin figura të rëndësishme politike. Të tjere, sidomos denoncuesit e forte kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit, e mbështesin fuqimisht dhe kërkojnë ndëshkim të politikanëve të korruptuar. Kjo tregon se protesta mund të jetë ose mjet presioni për pastrimin e politikës, sic deshiron shumice a protesutesve, por edhe e atyre qe ndjekin me intertes zhvillimine saj, ose instrument për ta politizuar perceptimin e drejtësisë. Prandaj, pyetja nëse duhet të kemi besim te SPAK-u kërkon një përgjigje të balancuar. Sipas mendimit tim po, duhet të kemi besim, sepse ai ka treguar se mund të godasë korrupsionin dhe të rrisë llogaridhënien. Por nuk duhet kurrsesi të mendohet se vetëm SPAK mund ta pastrojë politikën shqiptare ose të sjellë vetë qarkullimin e elitave. Përvoja italiane tregon se drejtësia mund të hapë rrugën e ndryshimit, por nuk mjafton pa reforma më të gjera në kulturën politike, në partitë dhe në institucionet e tjera. Për fat të keq, fjalimi i pardjeshëm i z. Rama para forumit më të lartë zyrtar të partisë së tij të shtyn drejt përfundimit se kultura ekzistuese politike e bashkëpunimit të elitës me lobistë dhe oligarkë, duke vënë në dispozicion të tyre buxhetin e shtetit dhe pasuritë publike, mbetet ende e rrenjosur thelle. Kërkimi i përgjegjësisë te të tretët, te ata që “hanë mollë e dardha pas shpinës së udhëheqësit”, është një argument i konsumuar dhe tipik për kulturën qeverisëse sunduese në vend. Kjo tregon se problemi nuk është vetëm te individët që hetohen apo dënohen, por te vetë mekanizmi politik që vazhdon të prodhojë korrupsion dhe kapje të shtetit.
Në këtë kuptim, një besim realist te SPAK do të thotë ta shohim atë si një forcë të rëndësishme për ndryshim, por jo si zgjidhje magjike për problemet e demokracisë shqiptare. SPAK mund të ndëshkojë individë, të thyejë tabu dhe të forcojë shtetin e së drejtës. Por pastrimi i politikës dhe qendrueshmëria afatgjatë e sistemit kërkojnë më shumë: reforma në partitë politike, transparencë në financime, media të lira dhe një presion të vazhdueshëm qytetar. Në fund, drejtësia mund të vendosë “kufijtë e lojës”, por vetëm politika e reformuar mund “ta luajë lojën” ndryshe.
Në përfundim, SPAK dhe “Mani Pulite” janë dy shembuj të rëndësishëm të rolit që mund të luajë drejtësia në luftën kundër korrupsionit dhe në rikthimin e besimit të publikut. Të dyja kanë krijuar shpresë dhe kanë treguar se pushteti nuk duhet të jetë mbi ligjin. Megjithatë, përvoja italiane tregon se drejtësia, sado e fortë të jetë, nuk mund ta ndryshojë e vetme politikën. Për këtë arsye, besimi te SPAK duhet të jetë besim realist: ta shohim si një forcë të rëndësishme për ndryshim, por jo si zgjidhjen e vetme për problemet e Shqipërisë.



