nga Av. Edmond Petraj
Sot Gjykata e Lartë rrëzoi një nga rekurset për lirimin e Erion Veliaj, duke vendosur vijimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Një vendim që vjen pikërisht në momentin kur debati juridik mbi proporcionalitetin e paraburgimit është bërë më i fortë se kurrë pas ndërhyrjes së Gjykatës Kushtetuese dhe vendimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara.
Por ajo që bie në sy është se tashmë nuk kemi më të bëjmë vetëm me një çështje penale. Kemi të bëjmë me një përplasje të hapur mes standardit kushtetues të lirisë dhe praktikës tradicionale të paraburgimit.
Gjykata Kushtetuese pak ditë më parë i dha një mesazh të qartë Gjykatës së Lartë: nuk mjafton më një arsyetim formal për të mbajtur një person në qeli. Duhet argument konkret, proporcionalitet real dhe analizë individuale përse masa më e rëndë mbetet e domosdoshme.
Ndërkohë sot, me rrëzimin e rekursit, pyetja që lind natyrshëm është:
A kemi realisht një arsyetim të ri juridik, apo kemi vetëm vazhdim të të njëjtit standard të vjetër?
Sepse pas vendimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara, Gjykata e Lartë nuk mund të përdorë më formulat klasike:
“rrezik për hetimin”,
“rrezik për provat”,
“rëndësi e veprës penale”.
Tani ligji dhe jurisprudenca kërkojnë diçka tjetër:
pse konkretisht Veliaj duhet të qëndrojë ende në burg?
Çfarë rreziku real ekziston sot?
Pse nuk mjafton një masë më e butë?
Pse paraburgimi vazhdon të jetë proporcional?
Dhe këtu nis problemi i madh juridik.
Sepse nëse këto pyetje nuk marrin përgjigje bindëse dhe të individualizuara, atëherë paraburgimi fillon të humbasë karakterin e masës së sigurimit dhe afrohet me perceptimin e një dënimi të parakohshëm.
Sot Gjykata e Lartë rrëzoi një rekurs. Por beteja juridike nuk ka mbaruar.
Përkundrazi, tani presioni mbi drejtësinë është edhe më i madh. Sepse çdo vendim që kufizon lirinë duhet të përballojë jo vetëm ligjin procedural penal, por edhe standardin kushtetues të proporcionalitetit dhe arsyetimit të thelluar.
Dhe pikërisht këtu do të matet në ditët në vijim nëse drejtësia shqiptare do të ecë me standardin europian të lirisë, apo do të vazhdojë me logjikën e paraburgimit të pafund si instrument presioni procedural.



