Po kush je ti? (Se po na krijoni edhe parti)

spot_img
Advertisements

nga Indrit Vokshi

E para nuk kam mashtruar askënd me lekët. Kam marrë gjithmonë aq sa më ka takuar, 100, 100, 5000, 5000. E quaj të rëndësishme ketë pasi leku nxit lakminë. Kam arritur ta mposht lakminë. As më bën përshtypje hiç.

Kam qenë nxënës i mirë në tabelë nderi në fillore. Pastaj nisa të mbaj pëllumba, qen, armë, playstation te lagjja etj. Pasi mbarova gjimnazin, baba, si mënyrë parandaluese që të mos ikja në Itali, Holandë etj, me shokët e si shokët, tha hajt po e fusim në shkollë private me lek, se ku i dihet, ndoshta zë mend. Më futi pak si me zor. Doni ju që funksionoi! Nuk e kisha të vështirë ngaqë më përpara kisha qenë mirë në shkollë. Rinisa studimin; u habit guri e druni, çfarë na i ndodhi këtij që ka nisur të lexojë? A thua është bërë me këta të Jehovait? E të tjera e të tjera. Dmth nga na doli tani ky me libra, po na prish sinergjinë e grupit.

Drogëra, kokainë e hashash, skam pirë, paçka se disa nga shokët pinin. Unë isha me mitin “burrat pinë raki”. Bixhoz as kam luajtur, as di, as do të mësoj ndonjëherë. Çunave që luanin u kam thënë kështu: “O hut, a kujton se 20 kinezë që kanë shpikur kompjuterin, e kanë shpikur që të fitosh ti? Imagjinoje ne shpikim një lojë, a e shpikim për të fituar ne, apo të tjerët”?

Jam marrë me parti politike natyrshëm. Pa u futur në politikë partiake, rrija gjithë natën duke lexuar artikuj ose parë video për luftrat e shqiptarëve gjatë historisë, duke parë fjalime, dokumentare, historira. Në politikë partiake strukturore me ka futur Fran Frroku. Hajde-hajde, më pati thënë, se na duhen të rinj, na duhet një strukturë e mirë e ishalla po fitojmë për bashki. U fitua. U angazhova nivel pas niveli, shkallë pas shkalle.

I kam shërbyer PD-së me besnikëri shembullore; organizator seksionesh, numërues votash në disa palë zgjedhje, anëtar KZAZ, agjitator e propagandist kudo, sepse kam besuar në përkatësinë e përbashkët. Doli se nuk ishte ashtu.

Kur nisi foltorja e famshme, vetëm pse iu thamë se PD ka për të shkuar në katastrofë nësë kthehet Sali Berisha (siç edhe u vërtetua dhe do të vërtetohet edhe më tej), brenda ditës u zeruan të gjitha, besnikëria për vite, angazhimi për vite, gjithçka. Doli se besnikëria është e keqkuptuar; nuk duhej besnikëri kundrejt një boshti mendimesh, duhej besnikëri kundrejt personit Sali Berisha ose personit Lul Basha. Ketë nuk e kam pranuar, ma ka neveritur, pasi nuk e kam përfytyruar ndonjëherë veten si ushtar i vetëposhtëruar e i nënshtruar; e kam përfytyruar si njeri që rri në këmbë, drejt, me kokën lart e që nuk pranon të vetëfyhet për asnjëlloj interesi. Paktet i njoh e i bëj, por pakt për tu poshtëruar nuk bëj, skam asnjë interes pasi pasuria më e madhe që kam është vetja. PD-ja smë ka bërë asgjë jo sepse kanë diçka personale me mua, aspak; thjesht nuk kam përmbushur kushtet që nevojiten. Fundja si qindra e mijëra demokratë në Shqipëri të cilët kanë qenë e janë performues mirëpo nuk përmbushin ato kushtet sekrete.

Tani pas mendimeve gati 1 vjeçare, shkuam në pikën kur i ofruam njëri-tjetrit bashkëthemelimin e Nismës Kombëtare. I kemi marrë parasysh të gjitha, mosbesimin, demoralizimin e njerëzve, ngurrimin për tu bashkuar me forca të reja pasi përvoja është e keqe; thuhet se të gjitha lëvizjet e reja kanë dështuar. Prandaj kemi bërë një analizë gati shkencore se ku kanë dështuar lëvizjet e reja dhe pse. Kemi nxjerrë mësime prej dështimeve të të tjerëve, deri sa të na vijë radha për të nxjerrë mësime edhe prej dështimeve tona.

Dikush më tha duhet të jesh i çmendur ti që në ketë situatë ku ndodhet Shqipëria, del me objektivin për lëvizje të re. Po edhe i çmendur jam, i thashë. Atë punë që kam bërë prej 10 vjetësh por për dikë tjetër shumë të largët, do të vazhdoj ta bëj me angazhim 10 fish më të lartë për një ekip më të afërt e më meritor. Me i lirë në shpalosjen dhe në mbrojtjen e asaj që kemi besuar gjithmonë dhe asaj çfarë kemi qenë prej kohësh.

Post Scriptum: E di që thuhet se burri nuk duhet të flasë për veten por në çështje politike edhe duhet të flasë pasi nevojitet sqarim i njerëzve.

spot_img

Latest articles

Related articles