Kolonel Demiraj vlerëson lidershipin politik të Ramush Haradinajt

spot_img
Advertisements

Sot është një ditë e veçantë për politikën shqiptare në tërësi.

Një nga gjeneralët dhe politikanët më të rëndësishëm të Kosovës, një prej figurave më emblematike të luftës çlirimtare dhe të shtetformimit të saj, po jep edhe një herë një leksion të rrallë pjekurie politike, vizioni dhe përgjegjshmërie publike, krejt ndryshe nga ajo që kemi parë shpesh në hapësirën politike shqiptare në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Gjenerali i luftës çlirimtare dhe dy herë Kryeministri i Kosovës, z. Ramush Haradinaj, ka vendosur të mos kandidojë më për Kryetar të AAK-së, forcë politike të cilën e themeloi menjëherë pas çlirimit të Kosovës, duke hapur kështu kapitullin tjetër të rëndësishëm të jetës së tij në politikën aktive.

Ajo që e bën të veçantë këtë vendim është fakti se ai vjen si akt reflektimi, përgjegjshmërie dhe vizioni për të ardhmen, në një kohë kur shumica e liderëve politikë në hapësirën shqiptare largohen vetëm kur detyrohen nga krizat, humbjet elektorale apo presioni publik, dhe jo si rezultat i vetëdijes politike apo kulturës demokratike.

Në gjykimin tim modest, ardhja në krye të AAK-së e z. Ardian Gjini, duke pasur edhe mbështetjen dhe eksperiencën e Gjeneralëve Haradinaj, mund të shënojë fillimin e një faze të re për këtë forcë politike me lidership të ri, vizion më gjithëpërfshirës, riorganizim të strukturave dhe reflektim mbi sfidat e së kaluarës.

Personalisht, duke pasur privilegjin ta njoh nga afër familjen Haradinaj dhe duke ruajtur respekt të veçantë për kontributin e tyre në çlirimin dhe shtetformimin e Kosovës, nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’i uroj Gjeneralit Ramush Haradinaj shëndet, sukses dhe forcë në vazhdimin e kontributit të tij në jetën politike, kombëtare dhe të sigurisë së Kosovës.

Por mbi të gjitha, shpresoj që Kosova dhe shqiptarët kudo të dinë ta nderojnë dhe vlerësojnë siç duhet një prej gjeneralëve të saj më të shquar, një njeri që dha aq shumë për lirinë, pavarësinë, ardhmërinë, sigurinë dhe dinjitetin e vendit të tij.

Dr. Dritan Demiraj.

spot_img

Latest articles

Related articles