Papa Luani XIV ka vendosur të krijojë një komision të ri të Vatikanit për inteligjencën artificiale, një organ që do të merret me koordinimin e përgjigjes së Kishës Katolike ndaj zhvillimit dhe përdorimit gjithnjë e më të madh të AI-së në botë.
Vendimi vjen në prag të publikimit të enciklikës së tij të parë, ku pritet të theksohet rëndësia e etikës dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor përballë teknologjive të reja.
Vatikani bëri të ditur se komisioni po krijohet për shkak të rritjes së ndikimit të inteligjencës artificiale dhe pasojave që ajo mund të ketë mbi njerëzit dhe shoqërinë në tërësi.
Sipas Kishës, zhvillimi teknologjik duhet të shkojë paralelisht me respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të çdo qenieje njerëzore.
Enciklika e re e Papa Luanit, e nënshkruar së fundmi, e cila pritet të publikohet në javët në vijim, do ta trajtojë çështjen e inteligjencës artificiale në kuadër të mësimeve shoqërore të Kishës. Dokumenti pritet të fokusohet te tema si puna, drejtësia sociale, paqja dhe përgjegjësia morale në përdorimin e teknologjisë.
Papa Luani XIV ka shprehur edhe më herët qëndrimin e tij mbi AI-në. Menjëherë pas zgjedhjes si Papë në maj 2025, ai deklaroi se Kisha Katolike ka detyrimin të ofrojë udhëzim moral përballë sfidave që inteligjenca artificiale sjell për njerëzimin, veçanërisht në çështje që lidhen me dinjitetin njerëzor, drejtësinë dhe botën e punës.
Në qershor 2025, Papa paralajmëroi se, megjithëse AI ka potencial të madh për të mirën e njerëzimit, ajo mund të përdoret edhe për interesa egoiste, manipulim apo nxitje konfliktesh dhe agresioni. Ai shprehu shqetësim të veçantë për ndikimin e teknologjisë tek fëmijët dhe të rinjtë, duke theksuar se zhvillimi i tyre intelektual dhe emocional nuk duhet të dëmtohet nga përdorimi i pakontrolluar i inteligjencës artificiale.
“Të rinjtë duhet të ndihmohen në rrugën drejt pjekurisë dhe përgjegjësisë së vërtetë, jo të pengohen”, është shprehur Papa Luani, duke kërkuar përdorim më të kujdesshëm dhe etik të teknologjisë në shoqëri



