Votimi i përbashkët në Kuvend i rezolutës pro-integrimit evropian nga mazhoranca socialiste dhe opozita demokratike për gazetarin Lavdrim Lita është një akt “skizofrenie politike” dhe një lëvizje e çuditshme që ngre dyshime për prapaskena dhe marrëveshje të fshehta.
Sipas një analize të situatës politike në studion e lajmeve në “Ora News”, Lita tha se ky bashkëpunim është thellësisht kontradiktor, duke pasur parasysh retorikën e ashpër të opozitës, e cila e akuzon vazhdimisht qeverinë si “narko-shtet” dhe “narko-regjim”.
“Është pak e çuditshme që ata ia bëjnë mbarë narko-shtetit dhe narko-regjimit duke qenë pjesë e lojës politike,” theksoi Lita në analizën e tij, duke e cilësuar veprimin si një kundërthënie të madhe politike.
Motivacioni pas këtij unifikimi mbetet i paqartë. A ishte një kërkesë nga Brukseli, apo një dëshirë e brendshme e palëve për t’i “treguar dashuri” Europës?
Pavarësisht arsyes, ky akt shihet nga Lita si një provë gjenerale e mundshme për bashkime të ardhshme votash në çështje madhore si ndryshimet kushtetuese, reforma zgjedhore apo ajo në drejtësi.
Ky bashkëpunim, vijoi Lita, mund të shërbejë për të testuar opinionin publik përpara një “pazari” më të madh politik.
Nga një këndvështrim tjetër, ky veprim i opozitës shihet nga Lita si dhënie “oksigjeni” një mazhorance që ndodhet në vështirësi politike, e përfshirë në diskutime për çështjen e IBAR-it apo kërkesat për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë.
Në vend që të përfitonte nga pozita e vështirë e qeverisë, opozita zgjodhi të bashkojë votat për një rezolutë “as mish, as peshk”.
Në dimensionin ndërkombëtar, gazetari u shpreh se problematika e partnerëve perëndimorë nuk është me Partinë Demokratike si forcë pro-europiane, por me kryetarin e saj, Sali Berisha, të shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe.
Përpjekja për të treguar një fytyrë pro-europiane përmes rezolutës konsiderohet nga Lita e kotë, pasi qëndrimet ndërkombëtare ndaj lidershipit të opozitës janë të qarta dhe të pandryshueshme.
Por kritika e Litës shkon dhe përtej aktit të fundit politik, duke vënë në dukje se prej 30 vitesh klasa politike shqiptare vetëm sa ka deklaruar se “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”, pa e kthyer këtë aspiratë në realitet.
Sipas analizës së tij, LIta theksoi se asnjë fushë e jetës në vend, nga shteti i së drejtës, arsimi, ekonomia e tregut e deri te infrastruktura, nuk i plotëson standardet europiane.
Çdo progres i mundshëm në rrugën e integrimit, duket se do të jetë më shumë rezultat i dinamikave gjeopolitike rajonale sesa meritë e një pune konkrete të brendshme.



