Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtore Erida Lazimin për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas njoftimit zyrtar, çështja është shqyrtuar me rregullat e gjykimit të shkurtuar, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Flora Hajredinaj, Engjëllushe Tahiri dhe Marinela Osmani, vendosi deklarimin fajtore të të pandehurës dhe dënimin e saj me 1 vit burgim. Emri i Lazimit doli në dosjen “Toyota Yaris”, pasi Astrit Vladi dhe Erida Lazimin u akuzuan nga Prokuroria e Posaçme për ndikim të paligjshëm ndaj një gjyqtari. Biznesmeni Astrit Vladi në shtator 2020, kur dosja e vëllait të tij Elvis Vladi ishte në seancë paraprake, i kërkoi avokates Erida Lazimi që të ndikonte te gjyqtari për çështjen e tij dhe disa të tjerëve.
Lazimi dyshohet se ka pranuar të ndërmjetësojë kundrejt përfitimeve monetare të parregullta.
Për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, gjykata uli me një të tretën masën e dënimit, duke e dënuar përfundimisht Erida Lazimin me 8 muaj burgim.
Gjykata urdhëroi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vendosjen e saj në shërbim prove për një periudhë 16-mujore. Gjatë kësaj kohe, ajo duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale.
Çfarë është dosja “Toyota Yaris”
Dosja “Toyota Yaris” lidhet me bllokimin e bujshëm të 3.4 milionë eurove në qershor të vitit 2018 në portin e Durrësit, një dosje që u hetua fillimisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për pastrim parash, por pas disa piruetave procedurale u transferua në Prokurorinë e Tiranës dhe u mbyll me akuzën e “mosdeklarimit të të hollave në kufi”.
Kreu i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka akuzohet se në bashkëpunim me oficeren e Policisë Gjyqësore, Eriona Daupaj, avokatin Radovan Çela dhe të afërmin e të pandehurve, Astrit Vladin kanë ushtruar ndikim të paligjshëm dhe veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv për të ndikuar ecurinë e çështjes “Toyota Yaris” dhe lirimin e të pandehurve.
Ky zbulim ngre hije të zeza dyshimi mbi një grup prokurorësh dhe gjyqtarësh të Krimeve të Rënda dhe Tiranës, që i hetuan dhe i shqyrtuan këto çështje.



