Një atentat me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e sotme në Sarandë.
Sipas informacioneve paraprake, viktimë ka mbetur Rexhep Ismaili, i cili është qëlluar me armë zjarri në rrethana ende të paqarta.
Sipas informacioneve paraprake, disa ditë para krimit mes viktimës dhe autorit të dyshuar ka pasur një konflikt, ndërsa kjo pistë dyshohet se është edhe shkak i ngjarjes së sotme.
Burime bëjnë me dije se autori ka shkuar i armatosur në ambientet e karburantit në pronësi të Rexhep Ismailit dhe ka hapur zjarr në drejtim të tij.
Në momentin e atentatit, 66-vjeçari ndodhej në lokalin e biznesit të tij, i ulur në tavolinë së bashku me persona të tjerë.
Pas të shtënave ndaj viktimës, në lokal ka pasur përplasje me armë, pasi persona që ndodheshin brenda banakut kanë marrë një armë automatike dhe kanë qëlluar në drejtim të autorit të dyshuar.
Megjithatë, autori ka arritur të largohet menjëherë pas sulmit, ndërsa forca të shumta policie kanë nisur kontrolle në zonë për kapjen e tij.



