Policia Greke ka arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në vrasjen e mafiozit grek Jorgos Moskouris, ekzekutim i ndodhur në prill të vitit 2025 në zonën e Halandri.
Operacioni policor u zhvillua më 6 maj, pas një hetimi disamujor nga Departamenti i Vrasjeve, ndërsa të arrestuarit dyshohet se kishin rol mbështetës në organizimin e atentatit ndaj 55-vjeçarit, i cili u vra jashtë një klinike private më 24 prill 2025.
Sipas autoriteteve greke, në pranga kanë rënë dy shtetas grekë me origjinë shqiptare, Dhionis Kokoni dhe një tjetër me mbiemrin Jupe, si edhe dy grekë të tjerë, Dhimitris Aleksopoulos dhe Aleksandros Petropoulos.
Hetuesit dyshojnë se katër të arrestuarit kishin marrë përsipër pjesën logjistike të atentatit, duke siguruar armë, automjete, transport dhe mbështetje për ekzekutorët e huaj, të cilët besohet se mbërritën në Greqi vetëm për realizimin e vrasjes dhe u larguan menjëherë pas krimit.
Sipas policisë, hetimet janë përqendruar tashmë te figura e njohur me nofkën “Entik”, i konsideruar si një personazh kyç i mafias rusishtfolëse dhe që dyshohet se ndodhet aktualisht në Dubai.
Autoritetet greke dyshojnë se urdhri për eliminimin e Moskouris lidhet me konfliktet për kontrollin e kontrabandës së duhanit, aktivitet ku viktima thuhet se ishte përfshirë kohët e fundit.
Në dosjen hetimore përmendet edhe Janis Lalas, i cili më parë kishte bashkëpunuar me viktimën, por marrëdhënia mes tyre ishte prishur. Sipas hetuesve, vëllezërit Lalas dyshohet se më pas janë afruar me grupin e “Entik”.
Katër të arrestuarit akuzohen edhe për ngjarje të tjera kriminale, përfshirë një shpërthim në një kompani shitjeje automjetesh në Nea Erythraia në gusht 2024, biznes që dyshohet se kishte lidhje me Moskouris.
Ata akuzohen gjithashtu për shkelje të të dhënave personale, pasi dyshohet se kishin vendosur pajisje GPS në automjetin e një avokateje të lidhur me një drejtues të burgosur të mafias greke. Hetuesit kanë gjetur edhe kamera survejimi pranë banesës së saj, duke ngritur dyshime për përgatitjen e një atentati tjetër.
Megjithatë, autorët kryesorë të ekzekutimit mbeten ende në arrati. Policia greke po kërkon të paktën dy persona të huaj, të cilët dyshohet se vepruan me profesionalizëm të lartë gjatë atentatit.
Ekzekutimi i Jorgos Moskouris ndodhi pasditen e 24 prillit 2025, kur autorët i ngritën pritë jashtë një klinike private në Halandri dhe hapën zjarr me kallashnikovë në momentin që ai po i afrohej automjetit të tij.
55-vjeçari mbeti i vdekur në vend, ndërsa autorët u larguan me një automjet të vjedhur, i cili më vonë u gjet i djegur në zonën e Patimës, në Halandri.



