GJKKO ka pranuar kërkesën e SPAK për të kaluar për gjykim 4 të pandehurit Kledian Llaho, Çlirim Shahini, të dy ish-prokurorë në Sarandë, së bashku me biznesmenin Vasil Bakalli dhe Pando Papuçit.
Ish-prokurorët e Sarandës dyshohen se u përfshinë në një aferë korrupsioni për zbutjen e masës së sigurimit ndaj Pando Papuçit, i cili ishte shpallur në kërkim për ndërtim pa leje. Llaho dyshohet se ka marrë 30 mijë euro nga miku i tij, biznesmeni Vasil Bakalli. Ky i fundit provohet se vlerat monetare i ka marrë në shtetin grek.
Ndërsa prokurori i Papuçit, Çlirim Shahini provohet se ka marrë 25 mijë euro në këmbim që t’i kërkonte gjykatës masën “detyrim paraqitje”, ndërsa në total dyshohet se janë paguar 55 mijë euro për një masë sigurimi.
Vendimi është marrë në seancën paraprake të zhvilluar më 6 maj 2026 nga Gjykata e Posaçme, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Engjëllushe Tahiri.
Gjykata vendosi pranimin e kërkesës së SPAK dhe dërgimin për gjykim të procedimit penal ndaj katër të pandehurve.
Sipas vendimit të gjykatës, Kledian Llaho akuzohet për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, gjithashtu në bashkëpunim.
Për të njëjtat vepra penale akuzohet edhe Vasil Bakalli.
Ndërkohë, Pando Papuçi akuzohet për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, të kryer në dy episode, ndërsa Çlirim Shahini akuzohet për të njëjtën vepër penale.
Gjykata vendosi që çështja të shqyrtohet nga një trup gjykues i përbërë nga tre gjyqtarë të Gjykatës së Posaçme.
Po ashtu, së bashku me kërkesën për dërgimin e çështjes në gjykim, do të shqyrtohet edhe kërkesa e të pandehurit Pando Papuçi për zhvillimin e procesit sipas procedurës së gjykimit të shkurtuar.



