Gazetari Lavdrim Lita ka ngritur alarmin për sigurinë nga zjarret në kryeqytet, pas ngjarjes së ndodhur një ditë më parë në zonën e “Farmacisë 10” në Tiranë.
I ftuar në emisionin Off the Record me gazetarin Andrea Danglli, Lita deklaroi se qytetet shqiptare janë përballë një rreziku të vazhdueshëm për shkak të mungesës së infrastrukturës së duhur për përballimin e emergjencave.
Ai shtoi se ndërtesat e larta shumëkatëshe nuk përputhen me kapacitetet reale të shërbimit zjarrfikës.
“Ne jemi përballë një rreziku permanent në qytetet tona. Janë kthyer në kuti shkrepësesh dhe rrezikojmë të mbetemi brenda. Nëse kemi pallate 20, 30, 40 apo 50 kate dhe zjarrfikëset i kemi deri në pesë kate, ku do shpëtojnë këta njerëz?
Nuk mund t’u blejmë të gjithëve parashuta që të fluturojnë nga katet e larta, bashkë me fëmijët dhe të moshuarit. Kjo është një situatë që kërkon zgjidhje reale, jo improvizime.
Bota i ka dhënë zgjidhje: parandalimin, sistemet e alarmit, përdorimin e dronëve dhe shumë asete të tjera që mund të instalohen në një pallat apo të menaxhohen nga bashkitë për të parandaluar apo trajtuar një zjarr”, tha Lita.



