Grupi që sipas hetimeve të SPAK ka trafikuar tonelata me kokainë nga Amerika Latine në Europë, rezulton se ka ndërtuar edhe shkolla publike në Tiranë në disa tendera, që shkojnë rreth 20 milion euro të disbursuara nga fondet publike. Të dhënat kanë dalë sot, pasi kompania “Pepa group” u sekuestrua nga SPAK, ndërsa koka e trafikantëve të kokainës akuzohet se është Jetmir Pepa.
Në njoftimin zyrtar, Prokuroria e Posaçme bëri të ditur se hetimi kompleks u zhvillua me partnerë ndërkombëtarë si Eurojust dhe Europol dhe se ka dokumentuar aktivitetin e një grupi që ka operuar nga Amerika Latine drejt porteve europiane, kryesisht në Holandë dhe Belgjikë.
“Gjatë viteve 2019-2021, ky grup ka operuar në Amerikën Latine, në Belgjikë dhe Holandë, ku janë dokumentuar 8 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha”, thuhet në njoftim. Në total, sipas të dhënave të bëra publike, bëhet fjalë për rreth 7.5 ton kokainë të trafikuar në disa episode, një shifër që e vendos këtë çështje në nivelin e rrjeteve të mëdha ndërkombëtare të narkotrafikut.
Gjykata ka firmosur 11 masa sigurie “arrest në burg”, ndërsa deri tani janë ekzekutuar vetëm tre prej tyre.
Pjesa tjetër e të dyshuarve rezulton në kërkim, disa prej të cilëve jashtë territorit të Shqipërisë. Paralelisht me arrestimet, goditja është shtrirë mbi bazën ekonomike të grupit, ku me vendim gjykate janë sekuestruar 232 pasuri, nga kompani ndërtimi te hotele, nga toka dhe apartamente në disa qytete të vendit, deri te 89 automjete dhe 72 llogari bankare, me një vlerë totale të deklaruar rreth 12 milionë euro.
Deri këtu historia e këtij grupi trafikantësh nuk ndryshon shumë nga dosjet klasike të trafikut të drogës; rrjeti furnizohet në Peru, Ekuador apo Kolumbi, përdor kontejnerë me banane, peshk apo lëngje frutash për të fshehur ngarkesat dhe i kalon ato drejt Roterdamit apo Amsterdamit. Por ajo që e bën këtë çështje të ndryshme është fakti se një nga emrat që del në këtë dosje nuk është një figurë periferike, por një biznesmen i ndërtimit në Shqipëri që rezulton fitues i rregullt i tenderave publikë.
Bëhet fjalë për Jetmir Pepën dhe kompaninë e sekuestruar nga SPAK, “Pepa Group”.
Sipas një vëzhgimi të publikuar nga Boldneës, në të dhënat e përpunuara nga Open Data Albania tregojnë se vetëm në periudhën 2019-2025, “Pepa Group” ka arkëtuar mbi 20 milionë euro nga tenderat publikë.
Lista e kontratave është e gjatë dhe në një pjesë të mirë të rasteve lidhet me sektorin më sensitiv, arsimin.
Në fund të vitit 2019, Bashkia e Tiranës i jep kësaj kompanie ndërtimin e terreneve sportive të shkollës “Kosova”, pas një procedure ku nëntë operatorë të tjerë janë skualifikuar.
Në prill të vitit 2024, e njëjta kompani shpallet fituese për ndërtimin e shkollës “Pjetër Budi”, në një tender me vlerë rreth 3.7 milionë euro, ku nga gara eliminohen një pjesë e konsiderueshme e konkurrentëve. Në nëntor 2024, kompania fiton edhe një tjetër kontratë për ndërtimin e shkollës në Sukth, pjesë e programit të rindërtimit pas tërmetit. Po kështu, emri i saj shfaqet në projekte në Fushë Arrëz, në qendrën sociale “TEN” në Tiranë, në projektin TEDA dhe në një seri të gjatë kontratash për rindërtim banesash në zona të ndryshme të kryeqytetit dhe përreth tij.
Pra, ndërsa SPAK e ka bllokuar kompaninë sepse pretendon se ka prova që e lidhin me tonelatat e kokainës dhe një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës, rezulton se kompania ka qenë pjesë e rregullt e skemës së prokurimeve publike, deri në pikën që të ndërtonte shkolla.
Rama si zjarrfikës i pallatit të Arlis
Prej vitesh, raportet ndërkombëtare kanë paralajmëruar se Shqipëria është e ekspozuar ndaj pastrimit të parave, sidomos në sektorin e ndërtimit. Departamenti i Shtetit e përsërit vazhdimisht në raportet e tij se të ardhurat nga aktivitetet kriminale në Shqipëri “investohen shpesh në pasuri të paluajtshme dhe sektorin e ndërtimit”, duke e kthyer këtë industri në një kanal të rëndësishëm të pastrimit të parave. Edhe analiza të mediave ndërkombëtare e kanë vënë në dukje se investimet e dyshimta në ndërtim nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një fenomeni më të gjerë që lidhet me dobësinë e institucioneve dhe korrupsionin.
I fundit ishte një material i gazetarëve italianë, “Dirty money” në emisionin “Presa diretta” në Rai3, që kishin përgatitur një kronikë speciale mbi ndërtimet në Shqipëri dhe depërtimin e parave të drogës në industrinë e ndërtimit.



