Kryeministri Edi Rama ishte këtë të martë në ambientet e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, ku prezantoi Igli Tafën si drejtuesin e ri të institucionit, pas largimit të Mirlinda Karçanaj, e cila është nën hetim nga SPAK së bashku me persona të tjerë për atë që është cilësuar si “grupi kriminal AKSHI”.
Gjatë këtij takimi prezantues, një detaj ka tërhequr vëmendjen. Mes të pranishmëve që duartrokisnin kryeministrin, ndërsa ai shpaloste arritjet e institucionit, ndodhej edhe Viola Agasi.
Ajo rezulton të jetë Drejtore Juridike e Prokurimeve dhe Integrimit në AKSHI dhe, sipas informacioneve, është motra e biznesmenit Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, institucioni strategjik i AKSHI-t dyshohet se ishte de facto nën ndikimin e biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët, sipas dosjes, ushtronin kontroll mbi procedurat e prokurimit dhe kishin ndikim në vendimmarrje.
Tenderat për të cilët Ergys Agasi dyshohet se kishte rol aktiv, përfshirë edhe rastin e përmendur të Gerond Meçes, kalonin në proceset e verifikimit juridik në AKSHI. Si drejtuese e sektorit të prokurimeve, Viola Agasi kishte në kompetencë shqyrtimin dhe miratimin e elementëve juridikë të procedurave përkatëse.
Prania e saj në aktivitetin e prezantimit të drejtuesit të ri të AKSHI-t ka rikthyer në vëmendje diskutimet mbi lidhjet familjare dhe pozicionet në një institucion strategjik, në një kohë kur hetimet për çështjen janë ende në zhvillim.
Më herët janë raportuar detaje nga dosja e Prokurorisë së Posaçme lidhur me “grupin kriminal AKSHI”, ku përmendet se ish-drejtuesja e institucionit frekuentonte zyrën e Ergys Agasit, ku, sipas hetimeve, diskutoheshin kushtet e tenderave.
Sipas të dhënave, kompania “E.A Solution” përfitonte nga këto procedura, ndërsa verifikimi juridik i dokumentacionit kalonte në strukturat përkatëse të institucionit.
Pamje nga takimi i zhvilluar në AKSHI tregojnë momentet e prezantimit, ku mes të pranishmëve identifikohet edhe Viola Agasi/newsbomb.al



