Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Kukës, ku një nxënës shkolle ka mbetur i plagosur.
Sipas informacioneve paraprake, incidenti ka ndodhur në afërsi të godinës së ish-shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri”, e cila aktualisht ndodhet në proces rikonstruksioni nga një firmë ndërtimi.
Ngjarja ka ndodhur në momentin kur i mituri është afruar pranë kantierit të ndërtimit për të marrë topin. Në momentin që i mituri është afruar, nga kati i tretë i godinës janë hedhur materiale inerte, të cilat kanë goditur atë, duke i shkaktuar plagë dhe dëmtime që kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
Sipas burimeve, në zonën ku po kryheshin punimet mungonin masat e duhura të sigurisë teknike, si dhe izolimi i plotë i kantierit.
Fillimisht, i mituri është transportuar në spitalin e Kukësit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Për shkak të gjendjes shëndetësore dhe dëmtimeve që ai ka marrë, është nisur më pas me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.



