Si mos mjaftonte gropa financiare e vitit 97’ ku mijëra familje shitën gjithçka për t’i investuar në firmat piramidale, shqiptarët pas 18 vitesh e pësojë sërish me një skemë të ngjashme zhvatjeje por gjithçka në ditën e sotme kryhet online.
Bëhet fjalë për skemën piramidale të platformës “XUEX” që ka shkaktuar një dëm miliona lekë sidomos në dy zona Lushnjë dhe Divjakë.
Pas denoncimeve të shumta në rrejt, Policia u vu në lëvizje dhe hetimet çuan në goditjen e një grupi me bazë në qarkun e Fierit, ku 6 persona u vunë në pranga ndërsa një çift bashkëshortësh u shpall në kërkim.
Mediat kanë zbuluar një pjesë të dosjes hetimore, ku në njërin episod faktohet edhe përfshirja e Ereledio Shebekut në këtë skemë, i cili po ashtu ka rënë në kurthin e agjentëve.
Në dosje thuhet se Shebeku i ka regjistruar dy agjentët vetëm në platformën Binanc, pasi e kishte zënë frika pasi emrin e tij e kishte përmendur deputeti Erion Braçe i cili ka denoncuar skemat piramidale online.
“Duke qenë se kjo situatë u bë dhe mediatike shtetasi Ereledio Shebeku ishte i frikësuar dhe në tension pasi deputeti shtetasi Erion Brace e kishte përmendur në një postim në rrjetet e tij sociale. Për këtë arsye shtetasi Ereledio Shebeku, ka bërë të mundur vetëm regjistrimin në platformën Binanc, ku ju ka depozituar edhe 700 euro dhe ju ka thënë agjentëve të policisë se duhet të gjejnë një person tjetër që ti bëjë pjesë të grupeve në aplikacionin Telegram, sepse ai vet nuk mundej pasi i kishte bërë tashmë pesë persona. Agjentët e policisë kanë qenë të pajisur me teknikë për regjistrimin audio dhe video të veprimit simulues, i cili është ende në proces transkripti për shkak të vështirësisë në dëgjim të audios. Këto materiale janë hedhur edhe në disk. Është përpiluar raport vëzhgimi për këtë rast nga punonjësit e policies, si dhe janë këqyrur pamjet filmike”, thuhet në dosje.
Jo vetëm qytetarë por “viktimë” e kësaj skeme piramidale kanë rënë, efektivë policie edhe punonjës të bashkisë së Divjakës.
Në dosje flitet për rolin e Ereledio Shebekut, i cili pas operacionit që ndërmori Policia e Fierit është shpallur në kërkim bashkë me bashkëshorten e tij, Alma Shebeku, të dy 35 vjeç. Në dosje thuhet se Shebeku ka rolin e menaxherëve kryesorë të grupit.
I riu komunikonte në telegram me një person të quajtur “Leo Smith”, i cili dyshohet se është britanik dhe koordinon skemën mashtruese. Qytetarët investojnë nga 1 mijë deri në 5 mijë dollarë.
“Nëpërmjet aplikacionit “Telegram”, ka të instaluar një platformë për tregëtimin e kriptomonedhave, e cila mban emrin “XUEX”. Në këtë faqe online ky shtetas ka hapur një grup me pesë persona, ku secili prej tyre investon vlera monetare në shumat që variojnë nga 1.000 deri në 5.000 dollarë. Shtetasi Ereledio Shebeku nëpërmjet këtij aplikacioni merr mesazhe nga një person që është identifikuar si “Leo Smith”, i cili dyshohet se është shtetas britanik, ku i fton të gjithë pjesëmarrësit që të futen në këtë platformë në orën 14:ë dhe në orën 19:ë të çdo dite, duke i kërkuar që ti bëjn “like” faqeve që ju dërgon ky shtetas në aplikacionin “Telegram”, thuhet në dosje.
Si funksiononte grupi? Edhe pse në fakt një skemë piramidale online, anëtarët e grupit kishin zgjedhur të mos “fshiheshin”, por ata reklamonin hapur platformën XEUX me qëllim që të fusnin në kurth qytetarët. Në dosjen hetimore tregohet se reklamat për këtë platformë bëheshin në një lokal në hyrje të qytetit të Lushnjës me pankarta. Bëhet fjalë për një lokal në rrugën “Shëtitorja e Palmave”, bar-restorant “La Bonta”. Në vitrinën e këtij lokali ishte ngjitur dy pankarta që reklamonin platformën “Xuex”. Në njërën reklame është postuar “EG Group Investment XUEX ” Investim një here = Përfitime të Përjetshme”.
Policia dhe Prokuroria e Fierit kanë goditur skemat piramidale online në Shqipëri, duke finalizuar me arrestimin e 6 personave dhe shpalljen në kërkim të 2 të tjerëve.
TË ARRESTUARIT: Arbër Çela 38 vjeç nga Lushnja; Emanuel Taullau 21 vjeç nga Lushnja; Flavio Mukaj 23 vjeç nga Lushnja; Marius Kodra 28 vjeç nga Tirana; Brunilda Todi 38 vjeçe nga Divjaka; Brunilda Ndini 38 vjeçe nga Divjaka
NË KËRKIM: Ereledio Shebeku 35 vjeç dhe Alma Shebeku 35 vjeç