Pas një muaji në kërkim, Policia e Sarandës ka arrestuar 30-vjeçarin Mariglen Kondi, i dyshuar për tentativën e rrëmbimit të një të reje nga Nepali pranë pikës kufitare të Qafë Botës.
Arrestimi u krye mesditën e kësaj të hëne në lagjen nr. 4 të Sarandës, pranë stadiumit të qytetit.
Ngjarja për të cilën akuzohet Kondi ka ndodhur rreth orës 18:53 min të 2 Korrikut, në aksin Konispol–Qafë Botë, në vendin e njohur si “Postblloku”.
30-vjeçari ka tentuar disa herë të fusë me forcë në automjet një vajzë nga Nepali. E reja arriti që t’i shpëtonte autorit duke u largua me vrap dhe më pas denoncoi rastin në polici.
Uniformat blu bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar pamjeve të sigurisë, dhe shpalljen e tij në kërkim.
Mariglen Kondi rezulton person me precedentë penalë. Në vitin 2020 ai është arrestuar për kultivim të bimëve narkotike në bashkëpunim, ndërsa më pas masa e sigurisë iu zëvendësua me ‘arrest në shtëpi’.



