INTERVISTA E PLOTË:
Si do ta përkufizonit ju shkurtimisht kabinetin Rama 4?
Hasimja: Rama ka vendosur në pozicionet kryesore të ketë njerëz që ka besim, si nga ana profesionale dhe nga pikëpamja politike, dhe nga ana tjetër përpiqet të rifreskojë imazhin e qeverisë me disa emra të rinj. Nuk ka ndonjë gjë të re në fakt, se të njëjtën logjikë ka përdorur edhe më përpara. E vetmja gjë që ka ndryshuar janë emrat, lëvizjet, pozicionet, por si logjikë është e njëjtë.
Kemi emra të rinj. Kemi dy kryetar bashkish që përfshihen, kemi zonja që vijnë nga një karrierë shumë e suksesshme jashtë Shqipërisë, kemi dhe teknikë të tjerë. Si e shihni këtë prurje të re, si pritet të ndikojë kjo tek performanca e qeverisë?
Hasimja: Prurjet e reja janë gjithmonë pozitive. Çështja është çfarë kontributi do japin prurjet e reja. Ky është problemi kryesor. Pa e gjykuar aspak gjithë karrierën e znj. Koçiu, pyetja e madhe është a do jetë ajo në gjendje të përplaset me krimin në Shqipëri, duke e ditur që shpesh krimi lidhet edhe me politikën. Këtu nuk është më çështja sa e aftë është, por sa do të jetë në gjendje të përplaset me politikën. Politika shqiptare gjithmonë e ka përdorur këtë si strategji për të vendosur emra të rinj, por ajo që mbetet për t’u parë është çfarë kontributi do japin këta të rinj.
Sa i shërben ky kabinet objektivit kryesor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE brenda vitit 2030?
Hasimja: Objektivi kryesor i Ramës është të mbajë pushtetin, të vazhdojë qeverisjen e tij. Nëse kjo bëhet përmes integrimit, aq më mirë. Në një farë mënyre është një përpjekje për t’i kuruar imazhin Shqipërisë në raport me jashtë. Këtë e bën edhe me ministren e nderuar dixhitale që do të kemi, e cila synon të marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe do e marrë, se veç kësaj nuk ka çfarë merr tjetër.
Shkarkimi i Veliajt dhe zgjedhja e Manastriliut. Si e shihni këtë zgjedhje të z. Ramës?
Hasimja: Nuk ishte ndonjë surprizë e madhe. Ishin dy-tre emra që qarkullonin saktësisht. U krijua ideja, nisur edhe nga rezultatet, nga votat në Tiranë, sidomos në raport me zotin Goxhen. Vërtitej mes 2-3 emrave. Manastriliu ishte një nga kandidatet kryesore. Rama ka besim tek Manastriliu, si nga ana e menaxhimit profesional edhe ka besim politikisht.



