Sali Berisha ka reaguar me tone të ashpra në rrjetet sociale, duke akuzuar qeverinë për rrëmbimin dhe torturimin e Daniel Shimës, ish-zv.drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Në një postim në Facebook, Berisha pretendon se Shima u rrëmbye në mes të ditës më 20 gusht, në orën 13:30, siç kishte njoftuar vetë ai me një mesazh SOS drejtuar familjes: “Po më arrestojnë”.
Sipas Berishës, nuk bëhet fjalë për një arrestim nga strukturat ligjore të shtetit, por për një operacion të një strukture të dyshimtë, të cilën ai e quan “polici private me uniforma shtetërore”, që vepron nën urdhrat e drejtpërdrejtë të Kryeministrit Edi Rama.
“Danieli u rrëmbye si në kohët më të errëta. Jo nga policia apo SPAK-u, por nga struktura të fshehta që raportojnë vetëm te kreu i narkoshtetit,” shkruan Berisha.
Ai pretendon se Shima është kërcënuar më parë për shkak të dijenisë që kishte mbi çështje sensitive në lidhje me AKSH-in, të cilin Berisha e përshkruan si “miniera e floririt për Ramën dhe familjen e tij”.
Berisha pretendon se pas një mungese prej 12 orësh, Shima është rikthyer në shtëpi në orët e para të mëngjesit, i gjymtuar psikologjikisht dhe fizikisht. Ai thotë se Shima është torturuar për katër orë në një bodrum të Suel Çelës, ndërsa takimi i mëparshëm “për një kafe” kishte qenë një paralajmërim për shkeljen e “kodit të heshtjes”.
“Pas kthimit të tij, ka rënë një heshtje totale. Shoqëria civile, Avokati i Popullit, gazetarët, askush nuk flet më për Danielin. Është një omertà që flet shumë për frikën në këtë narkodiktaturë”, shkruan Berisha.
Ai mbyll deklaratën e tij duke e quajtur heshtjen rreth rastit të Daniel Shimës “një akuzë morale për të gjithë”, dhe një dëshmi të qartë të frikës dhe kapjes së institucioneve në vend