Kod i ri Penal apo regjim i ri politik?

spot_img
Advertisements

nga Sebastian Zonja

Njëri prej ekspertëve të lartë të reformës në Drejtësi, sot hartues i draftit për Kodin e ri Penal, Arben Rakipi, na sjell në vëmendje nenin e famshëm 55 të komunizmit, duke na kërcënuar me burg nëse kritikojmë Bajram Begajn apo Edi Ramën. Aq i dashuruar është me pushtetin sa na ka vënë në rresht me Rusinë me këtë draftkod të ri Penal. Nuk e dimë ende nëse po flasim për Kod të ri Penal apo regjim të ri politik!

Neni 299 i Kodit Penal turk sanksionon se kush fyen figurat e larta të shtetit dënohet me gjobë deri në katër vjet burg. Në vitin 2014, dy qytetarë turq – Rifat Çetin dhe Bilgin Çiftçi – shpërndanë në rrjetet e tyre sociale, në “Facebook”, një fotomontazh ku kryeministri Rexhep Taip Erdogan ngjante me personazhin Gollum nga libri “Kryezoti i unazave”. Të dy u dënuan nga gjykata. Në vitin 2021, dizajneri Barbaros Shansal u dënua me burg sepse shpërndau në rrjetin e tij social të njëjtën meme.
Aktualisht, në vendin tonë, siç e ka çdo vend i botës, e kemi të sanksionuar në Kodin Penal, në nenin 268, se “poshtërim” i republikës është vetëm në rastet e dëmtimit të flamurit ose të stemës kur këto janë të vendosura nëpër institucionet shtetërore. Kodi aktual penal parashikon gjobë ose burgim deri në tre muaj.

Por drafti i ri i Kodit Penal prashikon me të njëjtin status që ka flamuri kombëtar edhe presidentin Bajram Begaj apo kryeministrin Edi Rama. Saktësisht, drafti, nëse kalon i tillë, konsideron në të njëjtin status me flamurin – Presidentin, Kuvendin, Këshillin e Ministrave, Gjykatën Kushtetuese ose sistemin gjyqësor, Forcat e Armatosura apo Dëshmorët e Atdheut. Masa e ndëshkimit është tre vjet burg nëse bën meme dhe humor me Bajram Begajn apo Edi Ramën.
“Përdhosja e Republikës, Presidentit, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Gjykatës Kushtetuese ose sistemit gjyqësor, forcave të armatosura apo dëshmorëve të Atdheut, dënohet me burgim deri në tre vjet”, shkruhet në projektin e publikuar në faqen zyrtare të ministrisë së Drejtësisë.

Unë mendoj se ky draftkod nuk do kalojë kështu siç është, por shihni se çfarë mendësie kanë ata që kanë punuar mbi të, të cilët janë ndër ekspertët më të mirë të jurisprudencës. Besoj se e mbani mend vitin e shkuar kur kreu i grupit të punës për draftin e Kodit Penal, Arben Rakipi, u akuzua se në pozicionin e drejtuesit të Shkollës së Magjistraturës kishte ndryshuar tre herë listat duke përfshirë 52 persona shtesë. Ndryshimi i listës fillestare të të kualifikuarve, sipas medieve, u krye 2 herë nga vetë Shkolla e Magjistraturës në kundërshtim me Rregulloren e Brendshme të Shkollës dhe në mungesë totale transparence, pasi të dy ndryshimet e listës fillestare apo “dy korrigjimet e reja” nuk u bënë në prani të pjesëmarrësve.

Latest articles

Related articles