Konstitucionalisti Bledar Dërvishi, kritikoi draftin për Kodin e ri Penal të përgatitur nga qeveria duke pohuat se në formën që është tani për tani, përmbys drejtësinë penale.
Ai theksoi se kodi duhet të ishte këshilluar me të gjithë aktorët, duke përfshirë ministritë, juristët, ekonomistët etj para të hidhej për konsum publik.
I ftuar në emisionin “Now” në Euronews, Dervishi tha se kodi duhet të ishte parapërgatitur shumë herë më mirë, pavarësisht shqyrtimeve të tjera që do pasojnë para miratimit.
“Një Kod i ri Penal para se të dalë, duhet të konsultohej, jo vetëm me ministritë njëherë të gjitha. Kodi Penal rregullon fushën e shëndetësisë, doganat, tatimet, taksat. Atë pjesë të së drejtës administrative publike apo civile që kalon atë të atyre dhe shkon këtu te penalja pastaj. Duhet të merrnin pjesë të gjithë këta që të dilte një produkt i mirë. Unë nuk e shoh të trazuar apo të përthithur mendimin e specializuar juridik, ekonomik, shëndetësor që do na udhëheqë ne si shoqëri në 30 vitet e tjera. Vërtet është një draft po do duhet të ishte i parapërgatitur shumë herë më mirë që pastaj të ishte për konsum publik. Nuk është gati ende as për konsumim publik jo më që të mendoj se do miratohet ashtu. Nëse do mendoja sot që ai draft do miratohej nesër ashtu, do thoja se është përmbysje e drejtësisë penale, çdonjëri nga ne do ishte i rrezikuar se do ndiqej penalisht për çdo lloj veprimi që ne nuk e mendojmë kurrë se do jetë penal.” – tha Dervishi