Edhe pse nuk u përfshiva asnjë sekondë në këtë turp, në këtë valë të shëmtuar gjykimesh e shpifjesh, ndjej nevojën të të kërkoj ndjesë.
Na fal, Elda, që jetojmë në një botë kaq të padrejtë.
Na fal që heshtim, kur duhet të flasim.
Na fal që nuk të mbrojmë, kur të sulmojnë.
Na fal që harrojmë se përpara nesh është një njeri, jo një emër për tituj portalesh. Para se të flasim, duhet të mendohemi mirë. Para se të gjykojmë, po ashtu.
U sulmua një vajzë, një nënë, një bashkëshorte — jo për një vepër kriminale, por për diçka që mund të jetë e vërtetë ose jo. Dhe nëse është apo s’është e vërtetë, askush nga ne s’është në pozitë të gjykojë jetën personale të një njeriu. Aq më pak ta nxjerrë atë në portale, ta përbuzë, ta ofendojë, ta denigrojë — vetëm për disa klikime më shumë.
Edhe nëse ka ndodhur diçka, kjo s’ka ndodhur në një institucion shtetëror, as gjatë orarit zyrtar. Është e padrejtë dhe çnjerëzore që për një ngjarje të jetës private, një grua të kthehet në cak turmash që e njollosin pa mëshirë.
Kush jemi ne që prishim jetën e një vajze? Të një motre? Të një nëne? Kush jemi ne që harrojmë njerëzoren për një lajm të përkohshëm?
Le të ruajmë dinjitetin dhe të mos harrojmë se përtej çdo titulli, çdo komenti, ka një njeri. Dhe ai njeri mund të ishte kushdo prej nesh.
Elda, kjo është, ndoshta, sprova më e madhe e jetës tënde — të përballesh me padrejtësinë, me turmën që gjykon, me ftohtësinë e botës. Por dije se ka edhe njerëz që e shohin, e ndiejnë dhe nuk e pranojnë këtë padrejtësi.
Qëndro e fortë. E vërteta dhe dinjiteti nuk bëjnë zhurmë, por qëndrojnë të patundur.



