Ilir Alimehmeti mori mbi 16,000 vota preferenciale nga PD por mbeti jashtë Kuvendit. Ai është një politikan i ri në PD, i afërt me familjen Berisha, që është kuruar me kujdes në opinionin politik dhe ka bërë disa gara të brendshme.
Në një intervistë për RTSh, Alimehmeti thotë se votat e tij dhe të kandidatëve të tjerë nga listat e hapura janë një “dritë në fund të tunelit”.
Alimehmeti kërkon që të analizohet me ftohtësi rezultati i 11 majit dhe të mbajë secili përgjegjësinë e tij. Ai tha se ligji elektoral është i tillë dhe duhet rishikuar ndërsa deputetët e listave të mbyllura i quajti “të punësuar” ndryshe nga ai e të tjerë që garuan. I pyetur nëse pati mbështetjen e deputetëve të listave të mbyllura, Alimehmeti u shpreh se nuk i ka parë të aktivizohen në fushatë.
Ilir Alimehmeti humbi mandatin në garë me Jorida Tabakun, në një garë në listat e hapura që u konsiderua e padrejtë.
Partia Demokratike edhe në zgjedhjet e fundit vendosi të fusë brenda listave të saj ata kryetarë të partive aleate, të cilët pranuan të bëjnë koalicion parazgjedhor.
E njëjta situatë ndodhi në zgjedhjet e 11 majit, kur disa forca politike, Partia e Lirisë, Partia Republikane, PDIU, PBDNJ dhe PAA u futën brenda listave të PD-së me përfaqësuesit e saj në listat e mbyllura
Por një analizë e votave të marra në qarkun e Tiranës ku dy prej këtyre forcave politike patën kandidatë në listat e sigurta dhe kryetarët e tyre në listat e hapura, rezulton se ato kanë përfituar më shumë se sa PD-ja ka shtuar vota në shportën e koalicionit të djathtë.
Partia e Lirisë futi dy deputetë të sigurt në listën e Tiranës, ndërsa kryetari i saj, Ilir Meta u fut në listën e hapur.
Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, rezulton se Meta ka marrë deri tani 7,092, kur mungojnë rreth 100 kuti dhe 42 mijë zarfe të Diasporës. Kjo do të thotë se me 7,092 vota, Meta ka përfituar dy deputetë të sigurtë në Kuvend vetëm në Tiranë.
Akoma më e keqe është analiza e votave të PDIU-së. Mesila Doda ishte në listën e sigurt të demokratëve, ndërkohë që Shpëtim Idrizi ka marrë 1,786 vota në listën e hapur.
Meta dhe Idrizi kanë futur 3 deputetë në listën e sigurt me 8,800 vota, por jashtë Parlamentit mbeten ata që morën mijëra vota nga demokratët, Ilir Alimehmeti me mbi 16,000 vota, Asllan Dogjani me 6437 vota, Myslim Murrizi 5628 dhe Grigels Muçollari me 4724 vota.