Për herë të parë që nga viti 2013, Edi Rama nuk e ka më të sigurt fronin. Baza socialiste është ftohur, mitingjet duken të zbrazëta, dhe indiferenca ka zëvendësuar entuziazmin. Atje ku dikur PS fitonte me automatiksi, tani sytë e militantëve janë bosh, ndërsa vetë Rama përpiqet të shesë batuta në vend të shpresës.
Nga Greqia nuk po vijnë zarfe votimi, por vetëm heshtje. Ndërkohë, diaspora shqiptare në Itali, Gjermani e Britani është në lëvizje — jo për plazh, por për ta rrëzuar nga pushteti njeriun që për 12 vite ka dominuar çdo ekran dhe çdo fletëvotim.
Në fushë janë futur edhe goditjet e reja: Lulzim Basha, i kthyer nga hijet, ka ringjallur strukturat e veta dhe po fut PD-ASHM-në në garë më të fortë se kurrë; Lapaj ka pëlqyeshmëri në disa shtresa votuesish; Tom Doshi me PSD-në po mbush Shkodrën si “shefi i heshtur” që e kthen çdo bastion në kështjellë personale.
Rezultatet? PS bie në 65 deputetë, PD-ASHM ngjitet në 49, KEA-ja e Bashës merr 8, PSD-ja e Doshit 7, “Shqipëria Bëhet” e Lapajt 6, “Mundësia” e Shehajt 4, , dhe Bashkë kap 1 mandat. Shkurt: Rama nuk ka më shumicën dhe pa një mrekulli, pushteti i ikën nga duart.
Në këtë skenë politike të copëtuar, për herë të parë pas një dekade, kryeministri nuk është më lideri i pathyeshëm, por lojtari që po ruan rezultatin. Shqiptarët kanë nisur ta kuptojnë: kur edhe “zarfi” mungon, dhe diaspora të ndëshkon, koha e Ramës mund të ketë marrë fund. Dhe kjo nuk është vetëm çarje në akull — është fillimi i fundosjes.