Shkrimtari irlandez Paul Lynch ka fituar çmimin prestigjioz “Booker” për letërsinë artistike me romanin e tij të pestë, “Kënga e Profetit”.
Romani ka të bëjë me luftën e një gruaje për të mbrojtur familjen e saj ndërsa Irlanda shembet në totalitarizëm në të ardhmen e afërt.
Në parashikimin e Lynch një luftë civile në Irlandë i detyron familjet të largohen nga vendi.
Paul Lynch, 46 vjeç, kaloi katër vjet duke shkruar librin dhe u frymëzua nga vitet e gjata të luftës civile në Siri dhe “indiferencën e Perëndimit”.
“Po përpiqesha të shihja kaosin modern”, tha Lynch për faqen e internetit të Booker.
“Trazirat në demokracitë perëndimore. Problemi i Sirisë – shpërthimi i një kombi të tërë, shkalla e krizës së tij të refugjatëve dhe indiferenca e Perëndimit. … Doja të thelloja zhytjen e lexuesit në një shkallë të tillë që deri në fund të librit, ata jo vetëm ta dinin, por ta ndjenin vetë këtë problem”, tha ai.
Shkrimtarja kanadeze Esi Edugyan, e cila kryesoi panelin e jurisë që dha vlerësimin, tha se libri është “një triumf i rrëfimit emocional dhe tepër të guximshëm”.
Fitorja e Lynch vjen disa ditë pasi dhuna e ekstremit të djathtë shpërtheu në kryeqytetin e Irlandës, Dublin, pas një sulmi me thikë jashtë një shkolle fillore.
Edugyan tha se ngjarjet e fundit kishin qenë pjesë e diskutimeve të jurisëpër të zgjedhur fituesin, por nuk ishte kjo arsyeja pse libri triumfoi.
“Libri i Lynch-it “kap ankthet sociale dhe politike të momentit aktual”, por gjithashtu trajton dhe tema të përjetshme”, nënvizoi shkrimtarja kanadeze.
Edugyan tha se zgjedhja e fituesit nuk ishte unanime, por vendimi i takimit, që zgjati gjashtë orë, ishte “kolegjial”.
Lynch mori trofeun e tij nga fituesi i vitit të kaluar, autori nga Sri Lanka Shehan Karunatilaka , i cili fitoi me librin “Shtatë Hënat e Maali Almeida”, një roman mbi traumën e luftës civile në vendin e tij.



