– Një shtetas anglez është pjesë e verifikimeve për atentatin me arme zjarri të biznesmenit dhe politikan lokal në Lezhë Ardian Nikulaj. ‘Report Tv’ mëson se ky person ka qenë duke pirë kafe brenda lokalit “CORAL” në momentin e ngjarjes dhe menjëherë pas të shtënave është larguar.
Pas verifikimeve në sistemin TIMS, ky person rezulton të ketë hyrë në Shqipëri me 14-prill dhe është larguar mbrëmjen 19-prillit disa orë pas ngjarjes. Gjatë 5 ditëve ai ka qëndruar në një hotel në vijën e parë të plazhit rreth 1 km larg lokalit të viktimës.
Grupi hetimor po verifikon nëse diçka e tillë ka qenë një rastësi, apo shtetasi i huaj mund të jetë përdorur në rolin e informatorit për të realizuar krimin. Për shkak të largimit të shpejtë përmes aeroportit të Rinasit drejt Britanisë në Madhe hetuesit nuk kanë pasur mundësi ta pyesin shtetasin anglez, por po analizojnë me kujdes kamerat e sigurisë për të verifikuar nëse është parë duke lëvizur edhe ditë të tjera para ngjarjes pranë kompleksit “CORAL” ku ndodhi ngjarja e rëndë.
Ardian Nikulaj u ekzekutua në lokalin e tij më 19 Prill. Autori ishte i maskuar me, maskë covid dhe një jelek fostorishent, i ngjashëm me ato të policisë rrugore. 50-vjeçari u qëllua me 7 plumba dhe një e kapi në ballë duke e lënë të vdekur në vend. Nikulaj ishte anëtar i Këshillit Bashkiak në Lezhë, si edhe kishte kandiduar sërish për 14 majin. Ai ka qenë kandidat për deputet në 2021 me partinë e PSD-së.