Luani XIV: kultura e pushtetit dhe e luftës e helmon çdo takim

spot_img
Advertisements

Papa Luani XIV iu përgjigj pyetjeve të pesë të rinjve gjatë takimit me të rinjtë e dioqezave të rajonit të Lazios, Itali, të mbledhur paraditen e sotme, më 21 nëntor, në Sallën Pali VI, nën moton: “Mos u trembni: unë e munda botën!» (Gjn 16,33 ”. Takimi u zhvillua në kuadër të kremtimit rajonal të Ditës së Rinisë. Përpara mbërritjes së Papës, të rinjtë morën pjesë në një çast lutjeje dhe ndanë shtatë dëshmi personale.

Në një atmosferë të hapur dhe familjare, të rinjtë i drejtuan Papës pyetje mbi mënyrën se si mund të përballohen periudhat e thatësisë shpirtërore dhe të vështirësive në fe, si të jetohet dëshira për shenjtëri duke pranuar njëkohësisht kufizimet njerëzore, si të dallohet rruga që duhet ndjekur në jetë, si t’ua shpallet bukuria e Kishës atyre që ndihen larg saj dhe si t’i afrohen Sakramentit të Rrëfimit, duke e përjetuar atë si një takim të veçantë me Jezusin.

Feja, një lidhje miqësie me Jezusin

Duke iu përgjigjur Chiarës, e cila shprehu vështirësinë për ta jetuar fenë në mënyrë të qëndrueshme dhe autentike, si dhe pranoi se ndonjëherë njeriu përfshihet nga pasiguria dhe dyshimi, Papa Leoni XIV shpjegoi fillimisht se “fe” do të thotë të ndjekësh Jezu Krishtin, Birin e Hyjit dhe Shpëtimtarin e botës. Kjo nuk është gjithmonë e lehtë, por nuk duhet trajtuar si një problem matematike apo si një çështje filozofike.

“Feja e krishterë është para së gjithash një lidhje miqësie me Jezusin dhe me të gjithë ata që Ai i ka thirrur për ta ndjekur: ata që kanë ecur para nesh, ata që ecin së bashku me ne dhe ata që do të vijnë pas nesh. Kjo lidhje ndriçon pasiguritë që mund të përjetojmë, sepse na fton ta lexojmë dhe ta pasqyrojmë jetën tonë në Ungjill”.

Papa theksoi se është vetë Jezusi Ai që kujdeset për miqësinë e tij me njerëzit edhe në çastet kur ata lëkunden në fe. Për këtë arsye, u propozoi të rinjve dy këshilla konkrete:

  • Të zbulojnë në Ungjill fjalët dhe gjestet përmes të cilave Jezusi na shfaq dashurinë e tij, duke i përjetuar ato çdo ditë në faqet e Shkrimit të Shenjtë.
  • Të ecin në Kishë së bashku me vëllezërit dhe motrat në fe, sepse që në fillim Jezusi deshi të kishte dishepuj dhe të formonte me ta bashkësinë e tij. “Kjo na jep një gëzim të madh!”, nënvizoi Ati i Shenjtë.

Shenjtëria nuk është një performancë, por piqet duke ndjekur Jezusin

Pyetja e dytë, e drejtuar nga Flavio, shprehu një shqetësim të përhapur ndër të rinjtë: ndjesinë se duhet të jenë vazhdimisht të suksesshëm, të dëshmojnë diçka para të tjerëve dhe të mos lejojnë kurrë që të duken të dobët apo të brishtë. Kjo krijon një kundërshti me dëshirën për shenjtëri, sepse shpesh lind përshtypja se duhet të jemi të përsosur, ndërkohë që përballemi çdo ditë me kufizimet dhe dobësitë tona njerëzore.

Përgjigjja e Papës ishte që të mbështetemi te Jezusi. Qëndrimi në shoqërinë e tij na çliron nga barra e të maturit vazhdimisht të gjithçkaje që bëjmë dhe nga iluzioni se mund ta shpëtojmë vetveten me forcat tona. Duke ndjekur Jezusin, bëhemi vërtet ata që jemi. Ky është misteri i shenjtërisë: një mënyrë alternative dhe bindëse jetese, e cila i jep botës një fytyrë të re.

“Shenjtëria nuk është një performancë që na shkakton stres, as një pritshmëri tjetër që duhet përmbushur. Përkundrazi, shenjtëria është një dhuratë, një thirrje, që përputhet me dëshirën tonë të thellë për të gjetur lumturinë, për të qenë të lumtur. Shenjtëria lulëzon dhe piqet në ne duke ndjekur Jezu Krishtin, pa konkurruar me të tjerët. Është Ai, i Shenjti, që na shenjtëron, duke na shndërruar sipas shëmbëlltyrës së tij”.

Të dallosh vullnetin e Hyjit do të thotë të jetosh në dialog me Të

Tema e thirrjes dhe e vokacionit ishte në qendër të pyetjes së tretë, të drejtuar nga Francesca. Me afrimin e moshës madhore, bëhet thelbësore të kuptosh se cilën rrugë duhet të ndjekësh në jetë. Por si mund të dallosh dhe të pranosh projektin e lumturisë që Hyji ka për secilin prej nesh?

Papa u përgjigj:

“Për këtë mund t’ju them se Hyji thërret gjithmonë; ndërsa dallimi i thirrjes është të jetosh në dialog me Zotin, duke ndarë me Të përvojat dhe vendimet e çdo dite”.

Pyetjet ekzistenciale, si: kush duhet të bëhem, çfarë njeriu dua të jem, me kë dhe për kë dua të jetoj, mund të bëhen edhe më të dhimbshme kur njeriu ndien se nuk është në lartësinë e duhur, kur përballet me varfërinë dhe padrejtësitë, apo kur realiteti dhe koha në të cilën jeton e shkurajojnë. Në këto rrethana, Papa i ftoi të rinjtë të ndërgjegjësohen se Hyji “na do këtu dhe tani, dhe na thërret këtu dhe tani”.

“Vitet që po jetoni janë të rëndësishme. Dhe po i jetoni në një moment historik të rëndësishëm. Por, mes sfidave dhe premtimeve, kërcënimeve dhe shpresave të së tashmes, Jezusi i Ringjallur ecën me ne”, i siguroi Ati i Shenjtë.

Papa theksoi gjithashtu edhe rolin e Kishës në procesin e dallimit të thirrjes personale. Kisha na nxit të bëjmë zgjedhje të qëndrueshme dhe besnike, që zgjasin dhe u rezistojnë vështirësive, sepse dashuria e Hyjit është e përjetshme. Ajo na ndihmon përmes njerëzve, përvojave shpirtërore, veprave të bamirësisë, vendeve dhe momenteve të veçanta, ku mund të dëgjojmë Fjalën e gjallë që na thërret. “Me gëzim mund t’ju them se kështu ka ndodhur edhe me mua!”, përfundoi Papa, duke iu referuar përvojës së tij personale.

Hyji është pranë të gjithëve

José, një tjetër i ri, e pyeti Papën se si mund të dëshmohet feja pa rënë në rrezikun e vetëreferimit, pra pa u mbyllur në vetvete apo brenda bashkësisë, si dhe si mund t’u shpallet bukuria e Kishës të rinjve që ndihen të largët prej saj.

Papa Leoni XIV shpjegoi se, nëse është e vërtetë që feja lind nga një marrëdhënie e thellë me Hyjin dhe përmbushet brenda bashkësisë, është po aq e vërtetë edhe e kundërta: feja lind brenda bashkësisë, përmes takimit me besimtarët, dhe përmbushet në marrëdhënien e thellë me Zotin. Këto dy përmasa janë të pandashme, sepse feja nuk na mbyll as brenda një bashkësie, as brenda vetvetes, por na hap gjithmonë drejt Zotit dhe të afërmit.

Papa kujtoi në këtë kontekst edhe thirrjen e Papës Françesku për të dalë e shkuar drejt të tjerëve, për të mos qëndruar të mbyllur në mjediset tona. Nëse marrëdhënia me Zotin përjetohet çdo të diel rreth tryezës së Zotit, gjatë kremtimit të Eukaristisë, është pikërisht duke dalë drejt botës që ne e çojmë dashurinë e Tij në jetën e përditshme. Duke iu referuar atyre që ndihen larg Kishës, Papa dha një mesazh të qartë:

“Hyji është pranë të gjithëve, edhe atyre që ne i konsiderojmë – ose që e konsiderojnë veten – larg Tij. Zoti nuk e largon askënd, sepse dëshiron të jetojë me ne! Prandaj, të tjerët janë të afërmit tanë: i afërmi nuk zgjidhet, por është kushdo që jeta na vendos pranë ose na bën të takojmë”.

Ati i Shenjtë Leoni XIV paralajmëroi kundër krijimit të ndarjeve mes “neve” dhe “atyre”, mes “të afërmve” dhe “të largëtve”, mes “tanëve” dhe “të tjerëve”. Kur lutemi duke thënë “Ati ynë”, mësojmë ta njohim si vëlla dhe motër edhe atë që na duket i largët apo që paraqitet si kundërshtar.

Modeli i Jezusit: të fitosh duke dashur dhe duke falur

Pyetja e fundit, e drejtuar nga Maria Teresa, u lidh me temën e Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në Seul, me moton “Mos u trembni: unë e munda botën!» (Gjn 16,33). Duke pasur parasysh se Jezusi e ka mundur vdekjen, të keqen dhe mëkatet tona, e reja e pyeti Papën se si mund të jetohet Sakramenti i Rrëfimit.

Papa shpjegoi se mënyra me të cilën Krishti e ka mundur botën ka një emër: shpëtimi. Fitorja e Jezusit nuk është qëndrimi i dhunshëm i atij që triumfon duke shkatërruar tjetrin. Kjo është pikërisht ajo që ndodh shpesh sot, në një botë konkurruese, ku kultura e pushtetit, e sfidës dhe e luftës helmon çdo takim dhe e shndërron atë në përplasje dhe konkurrencë.

Në kundërshtim me këtë logjikë, Papa paraqiti modelin e Jezusit:

“Ekziston modeli i Jezusit, ekziston jeta e Jezusit: Jezusi fiton mbi kryq, duke dhënë jetën e tij për ne, duke na çliruar nga mëkati dhe vdekja. Jezusi fiton sepse di të shohë përtej asaj që i bëhet. Prandaj, ndërsa e kryqëzojnë, Ai thotë: ‘O Atë, fali, sepse nuk dinë çfarë bëjnë’. Kjo do të thotë ta mundësh botën: ta shohësh atë me gjithë të këqijat e saj dhe ta duash me dashurinë e Zotit, e cila i shëron ato përgjithmonë”.

Përmes Jezusit, vijoi Papa, mëshira e Zotit e shkrin të keqen si bora nën rrezet e diellit. Ky është veprimi i shëlbimit, i cili na thërret edhe ne drejt së mirës. Në këtë kuptim, Rrëfimi është sakramenti në të cilin secili e përjeton shëlbimin në mënyrë personale, konkrete dhe në një takim të drejtpërdrejtë me Zotin. Nga ky takim njeriu del vërtet i lirë, përfundoi Leoni XIV, “i lirë për të dashur ashtu siç Ai na ka dashur ne”.

spot_img

Latest articles

Related articles