Mirela Kumbaro: Studentët e protestuesit janë terroristë!

spot_img
Advertisements

Mirela Kumbaro, ka reaguar ndaj sulmeve dhe linçimit në rrjetet sociale ndaj të rinjve që morën pjesë në një takim me Kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar këtë fenomen si një formë terrorizimi të hapësirës publike dhe një kërcënim për lirinë e shprehjes.

Në një reagim të gjatë të publikuar këtë të diel, Kumbaro mbrojti të drejtën e të rinjve për të marrë pjesë në debate publike dhe për të shprehur mendimet e tyre pa frikë nga sulmet dhe paragjykimet.

“Askush nuk ka nevojë të marrë leje nga askush për të marrë pjesë në një takim dhe për të shprehur mendimin e vet”, shkroi ministrja, ndërsa paralajmëroi se një shoqëri që i mëson të rinjtë të heshtin rrezikon të humbasë të ardhmen e saj.

Sipas saj, gjatë takimit që zgjati afro tre orë, të rinjtë diskutuan lirisht me kryeministrin, ngritën pyetje, shprehën kritika, propozuan ndryshime dhe morën përgjigje për shqetësimet e tyre.

“Askush nuk cënoi askënd. Askush nuk detyroi askënd. Të rinjtë folën lirisht. Diskutuam. U dëgjuam. Dhe pikërisht kjo është rruga më demokratike e komunikimit në një shoqëri të lirë: të flasim pa frikë dhe të dëgjojmë pa paragjykim”, u shpreh Kumbaro.

Ministrja dënoi ashpër sulmet anonime në rrjetet sociale, duke i quajtur autorët e tyre “terroristë të fjalës së lirë”.

“Është tronditëse të shohësh se në vitin 2026, të rinj që duan të shprehen, kanë frikë të shfaqen publikisht duke folur normalisht. Dhe jo nga autoriteti. Jo nga pushteti. Jo nga shteti. Por nga terroristët anonimë të fjalës së lirë në rrjetet sociale, që kanë si armë linçimin, bullizimin dhe frikësimin”, theksoi ajo.

Kumbaro shtoi se kur një i ri nis të mendojë jo çfarë duhet të thotë, por çfarë do t’i ndodhë nëse e thotë, atëherë, sipas saj, rrezikohet vetë liria e shprehjes dhe funksionimi demokratik i shoqërisë.

Ajo theksoi se liria e fjalës nuk është privilegj i atyre që bërtasin më fort dhe as pronë e profileve anonime në rrjetet sociale.

“Liria e fjalës është e drejta për të folur, por edhe detyrimi për të respektuar të drejtën e tjetrit për të folur dhe për të pasur një qasje të ndryshme. Çdo përpjekje për të zëvendësuar argumentin me dhunën verbale, debatin me linçimin dhe mendimin e lirë me frikën, është një formë terrorizimi në hapësirën publike”, deklaroi ministrja.

Në përfundim, Kumbaro theksoi se Shqipëria nuk duhet të humbasë asnjë pjesë të lirisë së saj demokratike dhe bëri thirrje që kjo liri të mos i dorëzohet kurrë frikës.

“Ne nuk kemi të drejtë t’ia dorëzojmë lirinë frikës. Kurrë më!”, përfundoi ajo.

spot_img

Latest articles

Related articles