Pse po çelin Podcaste politikanët?

spot_img

Gjatë fushatës zgjedhore në Itali, Silvio Berlusconi hapi llogari në “Tik Tok” për t’u bërë më i pranueshëm për të rinjtë. Sipas këshilltarëve të tij, të rinjtë italianë, nën 20 vjeç, votues për herë të parë, kalonin kohë të gjatë në “Tik Tok”.
Mediet sociale janë instrument perfekt, pa pagesë, nëse di t’i përdorësh, për të kuruar imazhin – akademik, artist, politikan apo qytetar i thjeshtë qofsh.
Së fundmi, kryeministri Edi Rama dhe kreu i Rithemelimit Sali Berisha kanë vendosur të çelin nga një Podcast secili.
Për ata që nuk e dinë, Podcasti është një fjalë e bukur anglisht për ta thënë ndryshe një intervistë në radio. Dallimi është se Podcasti mund të shkarkohet, të dëgjohet kur të ketë dëshirë qytetari dhe përdoret kryesisht nga ata që kanë telefona të rinj smart.
Podcastin e kanë përdorur politikanë të ndryshëm nëpër botë për të rritur popullaritetin e tyre.
Përdorimi i këtij formati nga Edi Rama tregon se, sipas sondazheve të brendshme, profesionistët e fushës dhe të rinjtë nuk kanë interes për ta votuar, as për ta dëgjuar.
Vlen të kujtojmë se të njëjtin titull që ai përdor për Podcastin, e përdorte gjatë protestës së studentëve, i frikësuar se ajo do të kthehej në ortek për ta rrëzuar nga pushteti. Sot, sërish, po kërkon të flas me të rinjtë, sepse ata janë pjesa më e pandjeshme ndaj propagandës së tij, që e dëmtojnë më shumë në mediet sociale me njohuritë, komentet dhe imagjinatën e tyre për meme, si dhe fshehin potencialin e madh për të ndryshuar rrjedhën e zgjedhjeve vendore dhe të përgjithshme.
Bisedat në Podcast i drejtohen profesionistëve të fushës, që e përdorin telefonin për punë; dhe të rinjve që kalojnë kohë të gjatë me të.
Menjëherë pas lajmit se Rama do të çelte një Podcast, edhe Berisha që ndoqi këtë strategji. Në teorinë e komunikimit publik, hapësira publike nuk duhet lënë bosh, sepse dikush do ta zërë patjetër.
Jam i mendimit se edhe kreu i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, të dy politikanë më të rinj në moshë se Rama dhe Berisha, duhet të çelin gjithashtu Podcaste.

Latest articles

Related articles