Deputetja thotë se brenda kishte “rryma të nëndheshme” të Berishës që u aktivizuan ditët e fundit

Drejtuesi i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, depozitoi të hënën në KQZ rreth 20 emra kandidatësh për kryebashkiakë nga 61 gjithsej. Katër prej tyre dhanë dorëheqjen ende pa u futur në garë, ndërsa një tjetër e dogji mundësinë duke tejkaluar limitin kohor që njeh ligji për t’u regjistruar.

Ndërkohë, kryetari i PD-së së Shkodrës është shprehur se pavarësisht se nuk garojnë me emër, nuk do të mbështesin kandidatin e Berishës dhe Metës, Bardh Spahinë. Vëmendja në PD-në zyrtare të Shkodrës do të fokusohet te këshillat bashkiak. Korça po ashtu ka një tjetër situate, ku përveç kandidatit janë tërhequr edhe të gjithë kandidatët për këshilltarë bashkiakë. E paralelisht ka një betejë të hapur ligjore nga pala e Alibeajt për koalicionin e Berishës dhe Metës që Apeli pritet ta shqyrtojë të enjten.

Për këto zhvillime u diskutua në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN ku e ftuar ishte deputetja e PD, Flutura Açka, e cila foli për “rryma në nëndheshme”.

“Në momentin që Berisha nuk po lëshonte pe, nuk kishte ndërmend të hynte me ne në aksion të përbashkët. Nuk mund të thuash ejani se është dera e hapur kur ke një vit që vetëm sulmon. Ne e filluam tryezën. Bardhi u mandatua që të hynte në bisedime me zotin Paloka.

Tani po i kthehem shumë intervistave të kolegëve të mi, të grupit tonë parlamentar, të grupit të Rithemelimit dhe po shoh që ajo që unë dyshoja për disa rryma të nëndheshme, të cilat ndoshta kanë funksionuar edhe jashtë dëshirës dhe principeve, kanë qenë aty dhe nuk i kemi kuptuar. Fakti që ne në 48 orët e fundit duhet të vendosnim për kandidatët e Partisë Demokratike, të vulës, është një gjë që e ka minuar këtë proces dhe e ka bërë shumë të brishtë.

Unë jam duke e tretur, nuk mund të flas dot para kohe. Dua të di kur ka filluar agjenda e dytë, e cila nuk është e të gjithë bashkë. Këto pikëpyetje i kam me palën time, Rithemelimi është në të drejtën e vet. Ne duhet të kishim dalë herët me kandidatë”, tha Açka.

Latest articles

Related articles