Greva në Francë| Parisi mbulohet nga mbeturinat

Pas propozimit të presidentit Emmanuel Macron për të rritur moshën e daljes në pension, grevat në Francë vazhdojnë, duke bërë që të ndërpritet transporti publik. Gjithashtu mungesa e punonjësve të pastrimit publik ka bërë që Parisi të mbulohet nga mbeturinat.Propozimet e Macron për të rritur moshën e përgjithshme të daljes në pension nga 62 në 64 vjeç dhe për të rritur numrin e viteve të punës që kërkohen për një pension të plotë, kanë sjellë në dy muaj protesta dhe greva.

Transporti publik është ndërprerë, ku rreth 40% e trenave me shpejtësi të lartë dhe gjysma e trenave rajonalë janë anuluar. Metroja e Parisit është ngadalësuar dhe autoriteti i aviacionit francez paralajmëroi për vonesa, duke thënë se 20% e fluturimeve në aeroportin Parisit janë anuluar.

Nga ana tjetër, rrugët e Parisit janë mbuluar nga tufat e mbeturinave. Grumbulluesit e plehrave dhe shoferët kundërshtuan rritjen e moshës së tyre të pensionit.

Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin i kërkoi Bashkisë së Parisit që të detyrojë disa nga punonjësit e mbeturinave të kthehen në punë, duke e quajtur atë një çështje të shëndetit publik. Nga ana tjetër Kryetarja e bashkisë së Parisit, socialistja Anne Hidalgo, tha se ajo mbështet grevën.

Latest articles

Related articles