Kërcënime me jetë dhe presion për t’u tërhequr nga ankimimet për tenderat e AKSHI-t. Biznesmeni Gerond Meçe ka rrëfyer në emisionin “Në Shënjestër” të gazetares Klodiana Lala në News24 detaje nga ngjarja e 12 gushtit 2025, kur pretendon se u rrëmbye nga persona të maskuar si efektivë të Policisë dhe të BKH-së.
Sipas dëshmisë së tij, personat e morën me një automjet me fenelina policie dhe e dërguan drejt zonës së Krrabës, ku e mbajtën për rreth pesë orë. Meçe pretendon se u kërkua të jepte fjalëkalimin e telefonit dhe të tërhiqej nga ankimimet për procedurat e prokurimit, ku kompania e tij kishte kundërshtuar skualifikimet nga garat e AKSHI-t.
Ai tregon se gjatë mbajtjes peng, personat komunikonin edhe me administratorin e kompanisë së tij, ndërsa i kërkonin të hiqte dorë jo vetëm nga tenderat, por edhe nga një proces gjyqësor në Gjykatën Administrative. Në rrëfimin e transmetuar në emision, Meçe përmend edhe biznesmenin Ermal Beqiri, për të cilin shpreh dyshime lidhur me organizimin e ngjarjes dhe pretendon se kishte lidhje me persona brenda AKSHI-t. Këto janë pretendime të biznesmenit të paraqitura në dokumentar.
Në fund të dëshmisë, Meçe tregon se para se ta linin të lirë, njëri prej personave e kërcënoi që të mos bënte denoncim, duke i përmendur edhe familjarët. “Nuk dua probleme nga ty, nuk dua denoncime nga ty, në të kundërt do të vrasim ty, gruan, motrën, nënën, se babë nuk ke ti”, rrëfen Meçe se i është thënë.



