Zëvendësministri i Brendshëm i Greqisë, Kostas Gjolekas, vizitoi dje Korçën, i shoqëruar nga një delegacion me përfaqësues të biznesit, të qeverisjes vendore dhe të universiteteve të Greqisë Veriore.
Ai zhvilloi takime edhe me anëtarë dhe përfaqësues të pakicës etnike greke në Korçë, ku artikuloi disa deklarata disi provokuese, që linin të kuptohej se grekët kanë jetuar dhe vijojnë të jetojnë në Korçë.
“Çdo grek duhet të kalojë edhe nëpër Korçë, për të parë rrënjët e popullit tonë që ishte këtu e që vazhdon të jetë këtu”, deklaroi Gjolekas gjatë takimit me Mitropolitin Anastasios, sipas agjencisë shtetërore greke të lajmeve.
Gjatë vizitës, Gjolekas dhe delegacioni që e shoqëronte u ndalën edhe në godinën historike të Konsullatës Greke në Korçë, ku zyrtari u takua me konsullin Asterios Buzias.



