nga Igli Çelmeta
Protestat paqësore janë gjëja më e bukur që mund t’i ndodhë një vendi. Për herë të parë, kjo ndodhi kaq bukur në vendin tonë, me protesta paqësore dhe pankarta me mesazhe domethënëse, pa dhunë, por me qytetari.
Qytetaria dhe fjala e mençur japin një mesazh shumë më të fortë se çdo akt dhune.
Por momenti kur një efektiv policie u godit me gur në kokë gjatë protestës së së enjtes para Parlamentit ishte jashtëzakonisht i rëndë. Çfarë faji ka ai polic, i cili është thjesht në krye të detyrës për një pagë rreth 700 mijë lekë në muaj, me të cilën mban familjen e tij, dhe që atë ditë kishte dalë në punë që në orën 05:00 të mëngjesit, duke punuar pa orar? Si do të ndihen fëmijët e atij polici kur shohin babanë e tyre të goditet me gur në kokë, pa i pasur faj askujt? Po sikur ajo goditje t’i kishte sjellë pasoja fatale? Pse policia duhet të mbajë përgjegjësi për keqqeverisjen e pretenduar nga protestuesit? Duhet ta kuptojmë se policët janë aty në zbatim të detyrës. Mos kujtoni se edhe ata kanë dëshirë të dalin përballë protestuesve. Edhe ata janë vëllezërit dhe motrat tona.
Protesta ngjalli shpresë në fillimet e saj, duke treguar se në këtë vend ka qytetari dhe se njerëzit dinë të protestojnë në mënyrë paqësore. Por kjo nuk duhet të shoqërohet me dhunë dhe linçim ndaj efektivëve të policisë. Nuk duhet të publikohen emra dhe fotografi të punonjësve të policisë për t’i ekspozuar padrejtësisht. Kjo ndodhi edhe në një rast kur një efektiv, pasi mori ndihmën mjekësore në spital për një dëmtim në bark dhe bëri edhe vaksinën e tetanozit, u largua pas dy orësh për të dhënë deklaratën në komisariat si punonjës i dëmtuar në detyrë. Menjëherë u publikuan video duke e linçuar pa të drejtë. Joan Trungu është një ndër efektivët më të mirë dhe më profesionistë të Policisë së Tiranës. Pas linçimit publik që iu bë, e telefonova dhe më tregoi plagën që kishte marrë, por më shumë se nga dëmtimi fizik, ndihej i lënduar nga linçimi i padrejtë. Është shumë gabim që media apo gazetarë të caktuar sulmojnë pa të drejtë punonjës policie për arsye propagandistike. Është shumë më e drejtë që kritikat dhe përballja të drejtohen ndaj qeverisë dhe pushtetit, kundër të cilëve zhvillohet protesta.
Duhet ta dimë të gjithë se edhe punonjësit e policisë kanë familje, edhe ata janë njerëz. Ata janë në krye të detyrës. Mos i sulmoni dhe mos i linçoni pa të drejtë. Betejën e keni me pushtetin, jo me efektivët e policisë. Siç ndodhi mbrëmë në Komisariatin nr. 3, ku u thyen xhamat dhe u dëmtua një punonjëse policie. Çfarë faji kishte ajo? Ajo ishte në vendin e punës. Para së gjithash është një grua dhe, së dyti, ishte duke kryer turnin e tretë në profesionin që ka zgjedhur, njësoj si çdo qytetar tjetër i këtij vendi.
Sa herë të ndryshojnë pushtetet, po ata punonjës policie do të jenë sërish aty në çdo protestë, pavarësisht se kush qeveris. Ashtu siç do të jenë edhe gazetarët në terren, të cilët janë sulmuar pa të drejtë, ndërkohë që thjesht kryejnë detyrën e tyre. Është po aq gabim edhe për ata gazetarë që kanë mundësinë të flasin me protestuesit dhe nuk bëjnë thirrje që të mos sulmohen kolegët e tyre, por as punonjësit e policisë. Përtej punës shumë të mirë që bëjnë duke protestuar dhe duke folur në podium për padrejtësitë dhe keqqeverisjen, minimumi duhet të bëjnë edhe këtë thirrje. Pse duhet të sulmohen gazetarët? Ne na bëhet zemra mal kur në vend ka protesta paqësore dhe qytetare që e detyrojnë qeverinë të reflektojë.
Për t’i dhënë secilit atë që i takon, në mënyrë të barabartë dhe të paanshme, mendoj se gabimi i vetëm i policisë ishte mënyra e arrestimit në flagrancë të Altin Hilës, babait të një fëmije të sëmurë. Skena e arrestimit të tij nuk ishte e duhura. Ai është një nga protestuesit më të ndershëm dhe ka të drejtën më të madhe për të protestuar, ndaj meriton respekt maksimal. Duke njohur hallin e tij të madh, është e kuptueshme që në momente të caktuara të ketë reaguar emocionalisht. Sipas policisë, efektivët nuk kishin dijeni në momentin e arrestimit se ai ishte babai i një fëmije të sëmurë.
Gjithsesi, në protesta dhe situata kaotike ndodhin shpesh akte dhune, si nga protestuesit ndaj policisë, ashtu edhe nga policia ndaj protestuesve. Por mbi të gjitha duhet të kuptojmë se jemi të gjithë shqiptarë. Policët, gazetarët dhe protestuesit janë vëllezërit dhe motrat tona. Protesta duhet të mbetet një zë i qytetarisë, jo i dhunës. Vetëm kështu mesazhi i saj bëhet më i fortë.



