Njëra nga ditët, me Ismail Kadare! Nga Virion Graçi

spot_img
Advertisements

Virion GRAÇI

NJËRA NGA DITËT

Si sot, 6 vjet me parë paskam pirë kafen e fundit me Ismail Kadarenë.
Nuk kam pasur dëshirë të pozohem me më të mëdhej për nga mosha e për nga njohjet publike, më është dukur si lypni, si pëvetësim i panevojshëm i diçkaje që nuk duhet të jetë me përqindje. Por, ftesat nga rrethi i tij i përditshëm, nuk mund të refuzoheshin gjatë e me arsyetime modestie bërtitëse: Armë e rëndomtë shtijanikësh.
Njëherësh duhet ta pranojmë se në vitet e fundit Ismaili, kujtesa e tij, përqëndrimi i tij ishte vullkan në shuarje, herë e kish mprehtësine dhe aftësinë për të pritur e dhënë përgjigje të forta, herë humbiste në pauza indiference e mosangazhimi. I kish kënaqur tundimet e tij letrare, shoqërore, publike. Për së gjalli i kishte dy shtëpi&studio muze, për kureshtinë e vizitorëve, nën kujdesin e shtetit.
Nuk e di si i erdhi, ndoshta ka qenë ditë zgjedhjesh politike, mbretëronte vapa dhe heshtja në tavolinë kur papritur tha të deformuar një varg të tij duke zëvendësuar fjalen idiot me socialist: ‘Qiell pa formë si tru socialist.’
Pavarësisht dënimit/ndalimit që mu dha mua dhe librave të mi prej botuesit të tij e timit, për katër tituj, dënim/ndalim ende në fuqi, u preka pa masë kur mora vesh, ndër të parët, nga një mik gazetar ikjen e tij në amshim.
Mu sollen ndërmend “takimet” me të nëpërmjet copëzave letrare në librat e këndimit, në librat për fëmijë e në antologji të ndryshme deri te librat përfaqësues në prozën e gjatë. Çuditërisht, ende e mbaj mend kronologjikisht radhën e leximeve prej Ismailit, nga leximet që më rrëmbenin deri te ato që nuk ngjisnin më. Mbase per fajin tim, isha rritur shumë dhe po e zgjeroja horizontin me lexime e shfaqe artistike nga mbarë bota krijuese…
…kështu, megjithë ec e jaket, kurrë nuk do të ishte e mundur të ndahesha prej I. Kadarese, në kuptimin letrar të fjalës, të paktën deri kur kujtesa ime të mos e ketë humbur freskinë, energjinë, zotësinë propozuese ndaj meje.
Dy miq që më gjetën në kafe-lulishte më përfshinë më shumë në pikëllimin e tyre dhe bëmë për nga sheshi, për të hyrë në radhë për homazhet.
Një vapë si sot, dhe disa radhë të dendura socialistesh të organizuar e të shfaqur si të tillë në atë ditë zie mbarëkombëtare, më bëri të ngecja në asfalt, të mos bëja më asnjë hap më tutje, drejt epiqendrës së vullkanit të shuar.
Një Zot e di!

spot_img

Latest articles

Related articles