Policia ka dalë me njoftim zyrtar për aksidentin detar të ndodhur ditën e sotme rreth orës 18:30 në Ksamil, ku ka humbur jetën 22-vjeçari Albjano Kreçi, banues në zonë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, i riu po lundronte me një mjet lundrues tip jet ski, kur dyshohet se, si pasojë e shpejtësisë, është përplasur me një skaf të Policisë Kufitare, i cili ndodhej i stacionuar rreth 400 metra larg bregut, në monitorim të hapësirës detare.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i jet ski-t është dëmtuar rëndë. Ai është nxjerrë menjëherë nga deti nga punonjësit e policisë dhe persona të tjerë që ndodheshin në zonë, dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit. Pavarësisht ndihmës mjekësore, ai ka humbur jetën.



