Shqipëria, vendi ku shteti lufton pronarin! ANALIZA e Gjergji Nika

spot_img
Advertisements

Shqipëria është i vetmi vend në Europë që ende nuk ka zgjidhur problemin e pronës. Për më shumë se tre dekada, mijëra familje shqiptare vazhdojnë të jetojnë pa siguri juridike mbi pasurinë e tyre, ndërsa shteti ka prodhuar vetëm zvarritje, konflikte dhe padrejtësi.

Unë besoj tek prona dhe tek shenjtëria e saj. Besoj se qindra mijëra shqiptarë që ende nuk kanë tituj të qartë pronësie, përfaqësojnë jo vetëm një plagë të hapur sociale, por edhe pengesën më të madhe për zhvillimin ekonomik të vendit.

Sot, një pjesë e madhe e problematikës së pronës lidhet me trashëgiminë e padrejtësive historike, por edhe me vendime të mëvonshme që kanë krijuar kaos në territor, si ligji 7501, i cili ka sjellë mbivendosje, konflikte dhe pasiguri të vazhdueshme mbi tokën.
Kjo është shoqëruar më pas me praktika abuzive dhe mungesë të theksuar të kontrollit institucional.

Në shumë raste, pronarët e vërtetë përballen me një realitet absurd: toka e tyre është zënë, fragmentuar ose përdorur, ndërsa shteti nuk ofron zgjidhje të qarta dhe të drejta. Nga ana tjetër, edhe ata që kanë ndërtuar mbi këto toka shpesh mbeten peng i legalizimeve të zvarritura dhe i paqartësisë ligjore.

Së fundmi, fenomeni i ashtuquajtur “paketa e maleve” dhe skema të tjera të ngjashme kanë ngritur shqetësime serioze për mënyrën se si administrohet territori dhe si trajtohen pronat publike dhe private, duke krijuar hapësira për abuzim dhe përfitime të padrejta në kurriz të qytetarëve.

Gjashtë në dhjetë shqiptarë vazhdojnë të kenë probleme me pronën. Kjo nuk është thjesht statistikë, por një realitet që prek ekonominë, investimet dhe jetën e përditshme të familjeve shqiptare. Shoqëritë moderne e kanë zgjidhur këtë çështje prej shekujsh, ndërsa në Shqipëri ajo vazhdon të mbetet një nga pengesat kryesore të zhvillimit.

Nuk ka reformë më të rëndësishme për
Shqipërinë e Re europiane sesa zgjidhja përfundimtare e çështjes së pronës. Duhet të garantojmë sigurinë juridike dhe të bëjmë të mundur që prona, në një mënyrë ose në një tjetër, t’i kthehet të zotit të saj.

Fatura për kompensimin me vlerë të plotë të pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist dhe nga periudha e tranzicionit është e lartë diku tek
8 miliard euro, por kostoja e mosveprimit është edhe më e madhe. Pa një zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare, Shqipëria mund të mbijetojë, por nuk mund të ketë nje zhvillim solid.

Sepse nuk mund të ketë ekonomi të fortë, investime serioze dhe shtet të së drejtës, nëse qytetari nuk është i sigurt për pronën e tij.
Koha e premtimeve ka mbaruar.

spot_img

Latest articles

Related articles