Tentoi të vidhte një banesë në Farkë, por përfundoi në prangat e policisë.
Burime për gazetarin Igli Çelmeta bëjnë me dije se i arrestuari është Aned (Ejk Eddy) Koli Jonuzi, banues në Sukth.
Ai ishte i shumëkërkuar nga policia, pasi në vitin 2009 ka grabitur një bankë me armë në Tiranë, ndërkohe muajt e fundit kishte grabitur edhe një banesë ku kishte marrë peng me armë pronarin e banesës.
Në kartelën e policisë cilësohej si një nga grabitësit serial më të rrezikshëm.
“Gjatë kontrollit iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me një krehër me municion, dy kaçavida, një palë pinca, dy kapele, një maskë e zezë, një palë doreza dhe një shumë parash. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 53-vjeçari dyshohet të jetë autor edhe i dy rasteve të tjera të vjedhjes/tentativës për vjedhje banesash,po në zonën e Farkës. Konkretisht, më datë 31.05.2026 dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në banesën e shtetasit A. S., ndërsa më datë 05.06.2026 dyshohet se ka tentuar të vjedhë në banesën e shtetasit K. B”, thuhet në njoftimin e policisë në lidhje me operacionin në Farkë



