Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në qendër të Fierit, ku një automjet tip “Porsche” është përplasur me dy mjete të parkuara, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit të një patrulle policie për të ndaluar dhe më pas, duke lëvizur me shpejtësi të lartë, ka humbur kontrollin e automjetit duke u përplasur me dy makinat e parkuara.
Pas aksidentit, drejtuesi i mjetit ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, duke hequr edhe targën e automjetit për të shmangur identifikimin.
Kanë qenë qytetarët e pranishëm në zonë që kanë ndërhyrë për ta ndaluar, ndërsa më pas një patrullë policie që ndodhej pranë ka bërë neutralizimin dhe shoqërimin e tij në komisariat.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat po kryejnë veprimet procedurale dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.



