Një sipërfaqe e stërmadhe prej rreth 65 mijë metra katrorësh, në afërsi të autostradës Tiranë–Durrës, do të transformohet disa herë brenda pak muajsh. Aktualisht, toka është djerrë, më pas do të ndërtohet stadiumi provizor ku do të mbahet koncerti i Kanye West dhe më vonë do të bëhen kulla.
Vendi është në zonën e Kasharit, në krah të “Casa Italia”, i cili është i njëjtë me sipërfaqen e sheshit “Skënderbej” në Tiranë. Aktualisht, në atë zonë kanë shkuar fadromat e para, duke e shtruar me inerte, pasi do të ndërtohet stadiumi provizor prej 60 mijë spektatorësh.
Organizatorët kanë parashikuar se në atë vend do të mbahet koncerti i këngëtarit amerikan më datë 11 korrik. “Stadiumi do të ndërtohet në Tiranë, për vetëm një natë më datë 11 korrik, me një kosto 50 milionë euro. Qeveria shqiptare thotë se shou nuk do të financohet nga buxheti i shtetit, por institucionet shtetërore do marrin pjesë për organizimin. Biletat kanë dalë në shitje, nga 99 uro në 339 euro,” thanë organizatorët.
Ndërkohë, në të njëjtën kohë që është vendosur për koncertin, qeveria ka miratuar dhe zbardhur një tjetër leje ndërtimi, që përkon pikërisht me sipërfaqen ku do të jetë stadiumi provizor.
Mediat kanë hulumtuar dokumente nga KKTU, që bën fjalë për projektin “Green City Towers”, me vendndodhje në Autostradën Tiranë-Durrës, me subjekt zhvillues dhe ndërtues shoqërinë M.C. INERTE SHPK.
Kjo firmë është në pronësi të Mark Lulit, i njëjti që po zhvillon disa projekte në Tiranë, ndërsa projekti po zhvillohet në pronën e disa individëve dhe të një subjekti që operon ngjitur me truallin.




