Gazetari i njohur Blendi Fevziu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka komentuar zhvillimet brenda Partisë Demokratike dhe rolin e Sali Berishës në politikën opozitare.
Fevziu u ndal te mënyra e komunikimit politik të Berishës dhe raporti i tij me median dhe bazën mbështetëse, duke theksuar se retorika e tij ka mbetur e pandryshuar ndër vite.
Raportet e Berishës me median janë të njëjta. Nëse ti e merr në stilin retorik të Berishës dhe po të marrësh mitingjet e ’97-ës janë pak a shumë me të njëjtin stil retorik. Fillimisht mitingjet kanë qenë me shumë pak njerëz. Retorika e Berishës me militantët është e njëjtë, gjithmonë ka thënë ‘uragani blu’.
Problemi është se nëse futemi te protesta në vetvete, por tani deklaron se është mbijetesa sepse Berisha pretendon që PD është në një presion shumë të fortë politik, ekonomik dhe mediatik. Sipas tij, Rama ka kapur çdo institucion dhe për Berishën moskapja e opozitës është arritja më e madhe e tyre.
Duke vijuar analizën, Fevziu tha se opozita ndodhet në një fazë ku strategjia e saj është e fokusuar më shumë te mbijetesa politike sesa te ndërtimi i një alternative qeverisëse, duke e cilësuar këtë si një situatë të përsëritur në historinë e saj.
Ai shtoi gjithashtu se Partia Demokratike mbetet e lidhur ngushtë me figurën e Berishës, të cilin e përshkroi si faktorin dominues në vendimmarrjen dhe drejtimin e saj aktual.



