Babë e bijë kanë gjetur vdekjen pas një aksidenti tragjik në aksin Lezhë–Kakarriq. Automjeti me të cilin po udhëtonin, ka përfunduar përmbys në një kanal me ujë dhe për pasojë babë e bijë humbën jetën.
Ata punonin në kampin e emigrantëve në Gjadër dhe pas pune po ktheheshin në banesë kur janë përfshirë në aksidentin tragjik. Sipas burimeve paraprake, dyshohet se ngjarja ka ndodhur që në orët e pasdites, por është konstatuar vetëm në orët e vona të mbrëmjes së 25 prillit.Kanë qenë familjarët ata që të shqetësuar për mungesën e kontaktit, kanë nisur kërkimet për të afërmit e tyre. Ndërkohë, gjatë një patrullimi në zonë, policia ka konstatuar automjetin e përmbysur në kanal, ku janë gjetur edhe trupat e pajetë të viktimave.
Lezhë / Informacion paraprak
Rreth orës 21:45 të datës 25.04.2026, në Komisariatin e Policisë Lezhë është paraqitur djali i shtetasit A. K., i cili ka kallëzuar se ka humbur kontaktet me babain dhe me motrën e tij, të cilët ishin nisur për në punë me automjetin e tyre.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle për gjetjen e tyre.
Në fshatin Gocaj, në afërsi të fabrikës së çimentos, në një rrugë dytësore, u gjet automjeti i tyre në një kanal me ujë.
Pas nxjerrjes së automjetit nga uji, rezultoi se në automjet ndodheshin pa shenja jete shtetasit A. K., 54 vjeç, dhe B. K., 20 vjeçe (babë e bijë).
Paraprakisht dyshohet se automjeti ka dalë nga rruga si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e tij nga ana e drejtueses së automjetit, shtetases B. K.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave, përcaktimin e shkakut të daljes nga rruga të automjetit dhe për dokumentimin e plotë ligjor.



