Deputeti socialist, Erion Braçe nga foltorja e Kuvendit kërkoi që të ndërhyhet në treg për të frenuar abuzimin me çmimet. “Ndalni abuzimin në tregun e fruta perimeve ku çmimet janë gati 10 herë më të larta nga importi që vijnë nga Greqia apo Serbia” tha ai.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha akuzoi vëllanë e kryeministrit, Olsi Rama për lidhje me Call Center-at, por Braçe tha “Call Center dhe Forex nuk është aktivitet i ri, por i hershëm dhe prandaj jam detyruar që në 4-5 vitet e fundit të kërkoj shpjegime nga AMF, Autoriteti i Pastrimit të Parave dhe policisë së shtetit. Herën e fundit që kam folur për këtë ka qenë dy muaj më parë. Ky nuk është krim shtetëror por individual”.
Në fund, socialisti tha se nuk duhet të akuzohet e gjithë mazhoranca kur bëhet fjalë për lidhjet që i bën opozita me ndërtuesin e pallatit që u dogj, Armando Lilo.
“Mazhoranca mund të mos dijë gjë për emrat që përmenden këtu. Nëse ka marrëdhënie individuale, kallëzim për secilin prej tyre. Unë as nuk e njoh fare këtë ndërtuesin, as nuk e kam takuar dhe kam dashur t’i rri përballë kur zë trotuare gjatë aktivitetit të biznesit të tij. Edhe unë e pashë dje se cfarë ka ndodhur tek kompleksi tek ‘Farmacia 10’. Mos bëjmë pis në mënyrë kolektive” tha ai.



