“Na kanë vjedhur E-albania” – KPP çon në prokurori ABS solutions që ka fituar 45 milionë € tendera

spot_img
Advertisements


KPP çon në prokurori ABS solutions
Një ankimim i zakonshëm pranë Komisionit të Prokurimit Publik, e ka bërë këtë të fundit të ngrejë dyshime, mbi të cilat mund të nisë një hetim ndaj vetë kompanisë ankimuese. Rasti i ankimimit të Advanced Bussiness Solutions-ABS” SHPK është referuar në Prokurorinë e Tiranës.

Fjala është për një tender të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, me objekt “Përmirësimin e Sistemit të Thesarit”, me vlerë 750,314,460 (shtatëqind e pesëdhjetë milion e treqind e katërmbëdhjetë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë) Lekë pa TVSH ose 7,632,903 (shtatë milion e gjashtëqind e tridhjetë e dy mijë e nëntëqind e tre) Euro pa TVSH.

Në këtë tender, ABS Solutions është skualifikuar. ABS Solutions ka qenë në pronësi të Gerond Meçes, deri në 25 maj 2025, kohë kur aksionet e kompanisë iu kaluan të ëmës, Shegushe Meçe, 75 vjeç.

Ankesa e ABS Solutions është regjistruar në Sistemin e Anakesave Elektronike më 19 qershor 2025. Por vetëm pak javë më pas, më 12 gusht 2025, vetë kompania ankimuese ka njoftuar tërheqjen nga ankimimi, duke e motivuar këtë kërkesë të dytë me ”kohën e konsiderueshme që ka kaluar nga momenti i paraqitjes së ankimimit” dhe “faktin se shoqëritë tashmë janë të angazhuara në projekte më prioritare”.

Vetëm një ditë më pas, një kërkesë e dytë nga ABS Solution, e specifikuar si “Njoftim urgjent” është depozituar elektronikisht pranë KPP, me pretendimin se si pasojë e hakerimit të llogarisë në e-Albania, persona të paautorizuar e kanë bërë ankesën për tërheqje nga ankimimi.

“… ditën e sotshme, me datë 13.08.2025 jemi vënë në dijeni përpara faktit se me datë 12.08.2025, persona të paautorizuar kanë arritur të ndërhyjnë në llogarinë tonë në e-albania duke ngarkuar dokumente në seksionin e ankesave drejtuar institucionit tuaj sipas të cilave deklarohet “dorëheqje e ankimit të paraqitur” për procedurën e prokurimit me këto të dhëna: Numër: REF-34655-12-26-2024 Objekt: Përmirësimi i sistemit të thesarit 5 Me këtë njoftim, ju lutem injoroni çdo dokument drejtuar institucionit tuaj të datës 12.08.2025. Ne nuk kemi pasur asnjëherë për asnjë rast dhe për asnjë arsye ndonjë qëllim të tillë dorëheqjeje. Gjithashtu ju vëmë në dijeni se kemi marrë në kontroll të plotë llogarinë tonë në e-albania dhe kemi nisur procedurat e verifikimit të kësaj ngjarjeje të papëlqyeshme[…]”.

Kjo kërkesë për “dorëheqje nga dorëheqja” është parë me dyshim nga KPP, e cila përveç mospranimit të kërkesës për rishikimin e vendimit, ka vënë në dijeni edhe Prokurorinë, duke i përcjellë një kopje të vendimit. Dyshimet për një skemë të paligjshme përmes të cilës të përfitohen para publike janë përforcuar nga fakti se, në bazë të ligjit, ankimimi ndaj vendimit të një autoriteti kontraktor shoqërohet me një faturë financiare, e cila paguhet nga ankuesi dhe nuk kthehet më mbrapsht në rast se ankimimi hidhet poshtë.

Advanced Business Solutions është themeluar në vitin 2002 nga Shegush Meçe. Vetëm gjatë pesë viteve të fundit, kjo kompani ka përfituar nga buxheti i shtetit tendera në vlerë 46 milionë euro.

spot_img

Latest articles

Related articles