nga Indrit Vokshi
Nja 10,400 komisionerë opozitarë në 5200 qendra votimi dhe mbi 900 numërues opozitarë në 93 KZAZ, kanë firmosur rezultatin, provesverbalin e kutisë së votimit. E kanë firmosur vetë me duart e tyre. Tani del prijësi i tyre e thotë: U vodhën votat.
Ku? Si? Qysh? Pse njerëzit e tij e kanë firmosur rezultatin? Pse nuk doli një prej tyre e të thoshte se filan kuti ka parregullsi?
Ky sistem administrimi zgjedhor është ndërtuar dypartiak për tiu dhënë garanci partive që ata të çojnë të besuarit e tyre në administrimin e zgjedhjeve; kemi refuzuar sistemin e menaxhimit me intelektualë, profesionistë, a-partiakë, pikërisht që partitë të kenë garanci, sepse kanë dyshim se iu vidhet vota. E marrin partitë çfarë duan, u jepen numëruesit partiakë, numëruesit e çertifikojnë rezultatin, firmosin kutitë një për një, pastaj del tipi dhe thotë mu vodhën!
Kjo është skema klasike për ta tërhequr zvarrë një parti politike, skema për të mos mbajtur asnjë përgjegjësi, skema për të mos iu nënshtruar asnjë llogarie, për të mos pyetur, a thua kemi faj që nuk bashkuam dot partitë opozitare? A thua kemi faj sepse vendosëm listë të dobët deputetësh dhe interesat e shqiptarëve nuk u përfaqësuan në atë listë? A thua kemi faj sepse ndërtuam mesazh të gabuar? Nuk duhen diskutuar këto, se po u diskutuan këto, duhet të mbajnë përgjegjësi “strategët” që kanë marrë vendimet.
Çfarë bëjmë? Dredhojmë dhe vendosim fokus vjedhjen e zgjedhjeve dhe cilindo që diskuton diçka tjetër përveç vjedhjes edhe pse zgjedhjet janë çertifikuar nga vetë numëruesit e PD, e shpallim se i shërben Edi Ramës.
Qëllimi nuk është as largimi i Edi Ramës, asgjë. Qëllimi është të mbajmë fort PD-në, ta sundojmë fort, me kontroll total, sepse edhe pak kohë PD do të rrijë tek 40-50 deputetë në një parlament me 140 deputetë. Në 2027 do t’i humbë prapë të gjitha bashkitë sepse bashkia është mazhoritare, humb për 1 votë dhe votat që merr humbësi nuk prodhojnë asgjë, ndryshe nga proporcionali ku vota e humbësit prodhon mandat.
Në 2029 do të përgjysmohet do të bjerë në pak mbi 30 deputetë. Dhe pastaj lamturmirë një partie e cila vendosi ta vrasë veten politikisht duke iu nënshtruar një personi. Sepse bota ecën, shoqëria është dinamike, fytyra të reja lindin, interesa të reja krijohen, sdo të ketë kush durim për të pritur një reformim i cili sdo të vijë ndonjëherë.
Këta janë bërë si i sëmuri të cilit doktori i thotë mos pi alkohol, ai vazhdon pi, pastaj habitet pse përfundon në spital. E kur përfundon në spital, shpall se e ka fajin Edi Rama, e sapo të dalë nga spitali do rrëzojë Ramën. Pastaj prapë në spital. Pastaj prapë betohet se kësaj here do e shohë Rama se çfarë do t’i bëjmë.