Trump emëron komandantin e ri të forcave amerikane në Europë

spot_img
Advertisements

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka propozuar zyrtarisht emrin e gjeneral lejtnantit Alexus Grynkewich për postin e komandantit të forcave të SHBA-së në Europë, i cili do të marrë njëkohësisht edhe rolin e Komandantit Suprem të Aleatëve në Europë (SACEUR), një nga postet më të larta ushtarake në strukturën e NATO-s.

Emërimi duhet të miratohet nga Senati amerikan dhe konsiderohet një zhvillim që pritet të sjellë lehtësim në radhët e aleatëve europianë, në një kohë kur retorika kritike e Trump ndaj NATO-s dhe qëndrimi i tij i vakët ndaj luftës në Ukrainë kanë ngritur shqetësime për të ardhmen e angazhimit amerikan në Aleancë.

Posti i SACEUR, që nga krijimi i tij pas Luftës së Dytë Botërore, është mbajtur gjithmonë nga një gjeneral amerikan – filluar me Dwight D. Eisenhower në vitin 1951 – dhe ka përgjegjësinë për drejtimin e të gjitha operacioneve ushtarake të NATO-s në Europë.

Që nga fillimi i mandatit të tij, Trump ka shtuar presionin ndaj vendeve europiane për të rritur shpenzimet për mbrojtjen dhe për të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit. Sipas burimeve të brendshme, në administratën amerikane janë diskutuar edhe mundësi që në të ardhmen ky post t’i besohet një vendi europian – një skenar që do të përbënte një ndryshim historik në strukturën e NATO-s.

Latest articles

Related articles