Të gjitha kutitë e votimit në Qarkun Tiranë do t’i nënshtrohen rinumërimit të plotë me kërkesë të dy anëtarëve të PD-së, Ledio Braho dhe Elvis Çefa, në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve.
Ky vendim vjen si përgjigje ndaj kërkesës së koalicionit “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, që pretendon për parregullsi në administrimin dhe numërimin e votave.
Janë 1.282 qendra votimi, kutitë e të cilave pritet të hapen me qëllim gjetjen e provave për pretendimet e opozitës. Përfaqësuesi i PD-së në KAS, z. Braho, tha se data për fillimin e këtij procesi do të përcaktohet në një moment të dytë.
“Duke qenë ky proces merr kohë, se janë 1.282 QV, data për fillimin e këtij procesi do të përcaktohet në një moment tjetër, kur partitë politike kanë të drejtën të caktojnë vëzhgues. Procesi do të këqyret nga administrata e KQZ-së, kështu që kjo seancë pezullohet për momentin”, tha z. Braho.
Vendimi për Tiranën nuk u mor me konsensus, por vetëm me kërkesë të dy anëtarëve demokratë në KAS, mirëpo neni 138, pika 3 e Kodit Zgjedhor parashikon që secili anëtar ka të drejtë ta kërkojë dhe KQZ-ja është e detyruar të kryejë rinumërimin ose rivlerësimin e votave të caktuara në kuadër të kësaj procedure.
Ndërkohë, për pretendimin tjetër të opozitës, për fletët e papërdorura, ka nisur procesi i verifikimit në 11 qarqe të vendit, me përjashtim të Kukësit, ku kërkesa ankimore e PD-së u rrëzua.